Belgjikë, dhjetëra mijëra mësues protestojnë kundër masave shtrënguese buxhetore

Rreth 30.000 mësues të gjuhës frënge në Belgjikë kanë protestuar kundër masave shtrënguese buxhetore të qeverisë në arsimin profesional, raporton Anadolu.

Me thirrjen e të gjitha sindikatave në Belgjikë, një numër i madh mësuesish të frëngjishtes u mblodhën përpara stacionit të trenit Midi në Bruksel.

Mësuesit kundërshtuan masat shtrënguese të ndërmarra nga qeveritë rajonale të Valonës dhe Brukselit në Belgjikë në fushën e arsimit profesional, duke hapur banderola ku shkruhej “Arsimi është thelbësor”, “Nuk mund të ketë masa shtrënguese në arsim” dhe “Arsimi është në rënie”.

Duke brohoritur parulla antiqeveritare, demonstruesit përdorën rrugët kryesore dhe kaluan pranë godinave të partive politike që kishin marrë vendimin e masave shtrënguese, duke marshuar po ashtu drejt Sheshit të Barrikadave, disa kilometra më tutje.

Me thirrjen e sindikatave, mësuesit e gjuhës frënge nisën një grevë dyditore në shenjë proteste.

Për shkak të grevës, procesi arsimor u pamundësua në shumë shkolla në rajonet e Brukselit dhe Valonës.

Trafiku u ndërpre rëndë në zonat qendrore të Brukselit për shkak të marshimit të mësuesve.