Belgjika kërkon nga Izraeli të lejojë ndihmën humanitare në Gaza dhe të respektojë ligjin ndërkombëtar

Belgjika ka shprehur shqetësim serioz për bllokimin e vazhdueshëm të ndihmës humanitare nga Izraeli për Gazën, si dhe për deklaratat e fundit të ministrit izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, i cili sugjeroi një praninë të përhershme izraelite në territoret palestineze, libaneze dhe siriane, transmeton Anadolu.

Ministri belg i Punëve të Jashtme, Maxime Prevot, i quajti zhvillimet “tronditëse dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”, si dhe i bëri thirrje qeverisë izraelite që urgjentisht të lehtësojë qasjen humanitare dhe të ndalojë veprimet që shkelin normat ndërkombëtare.

“I bëj thirrje qeverisë izraelite që urgjentisht të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare dhe të ndalojë shkeljen e ligjit ndërkombëtar, të angazhohet për një armëpushim dhe të respektojë integritetin e territoreve në fjalë”, shkroi Prevot në platformën sociale X.

Ai theksoi se apeli i tij vjen në një moment kritik, si për fatin e pengjeve izraelite ashtu edhe për sigurinë e civilëve të prekur nga konflikti.

Sot më herët, Katz tha se forcat e ushtrisë izraelite do të qëndrojnë në “zonat e sigurisë” në Rripin e Gazës në “çfarëdo situate të përkohshme ose të përhershme”.

“Ndryshe nga e kaluara, (ushtria izraelite) nuk po evakuon zonat që janë pastruar dhe janë marrë nën kontroll”, tha Katz.

Ushtria izraelite, tha ai, do të “mbetet në zonat e sigurisë si një tampon midis armikut dhe komuniteteve (izraelite) në çfarëdo situate të përkohshme ose të përhershme në Gaza, ashtu si në Liban dhe Siri”.

Që nga 2 marsi, Izraeli ka mbyllur vendkalimet e Gazës, duke bllokuar furnizimet thelbësore nga hyrja në enklavën palestineze, pavarësisht raporteve të shumta për uri në territorin e shkatërruar nga lufta.

Më 18 mars, ushtria izraelite rifilloi sulmet vdekjeprurëse në Gaza, duke thyer një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve që u arrit në muajin janar.

Që nga tetori i vitit 2023, të paktën 51 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza nga sulmet izraelite.