Belgjika sot u përpoq të minimizonte anulimin e takimeve gjatë vizitës së një diplomati të lartë izraelit, duke këmbëngulur se masat që kundërshton Tel Avivi janë politika të kamotshme të BE-së që bënë dallime midis kufijve të Izraelit të para vitit 1967 dhe territoreve të pushtuara, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas mbërritjes në Belgjikë, të mërkurën Idan Roll, zëvendësministri i Jashtëm i Izraelit, anuloi takimet zyrtare pasi pa raportet e mediave mbi politikën e Belgjikës për etiketimin e produkteve nga territoret e pushtuara palestineze.
Ministria e Jashtme belge shprehu keqardhjen për anulimin e takimeve, duke sqaruar se prej vitesh ka zbatuar politikën e BE-së për etiketimin e produkteve ndaras për mallrat e prodhuara në Bregun Perëndimor dhe vendbanimet e tjera izraelite në territoret e pushtuara palestineze.
E përditshmja belge “Le Soir” raportoi këtë javë se qeveria vendosi të shtrëngojë masat ndaj eksportuesve për të vendosur etiketa të ndryshme në artikujt e prodhuar në Izrael, nga njëra anë dhe nga vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara palestineze të Bregut Perëndimor, Kudsit Lindor, Rripit të Gazës dhe Lartësitë e Golanit, nga ana tjetër.
“Politika belge nuk ka ndryshuar. Etiketimet e veçanta janë aplikuar prej vitesh, madje është pjesë e marrëveshjes së koalicionit të qeverisë”, tha zyra e ministres së Jashtme belge, Sophie Wilmes për gazetën pasi Roll anuloi takimet me ministrinë dhe parlamentin federal.
Ministria shprehu keqardhjen “që takimet nuk mund të mbaheshin”, por tha se qeveria belge kishte ndjekur politikën e BE-së dhe rezolutat e OKB-së për vite me radhë.
Pasi hasën “në vështirësi të shumta për të konfirmuar origjinën e saktë të produkteve”, shtoi zyra e Wilmes, ata urdhëruan ministritë e Ekonomisë dhe Financave të kryenin “ekzaminim të thellë” nëse produktet “etiketohen saktë nga eksportuesit, në përputhje me Rregulloret evropiane dhe praktikat gjyqësore për këtë çështje”.
Mallrat nga territoret e pushtuara “mund të eksportohen ende në vendin tonë, por pa përfituar nga tarifa preferenciale e parashikuar nga marrëveshja e asociimit midis Izraelit dhe BE-së, sepse ato nuk vijnë nga Izraeli”, thuhet në deklaratë.
Gjykata Evropiane e Drejtësisë në vitin 2019 vendosi se “produktet ushqimore me origjinë nga territoret e pushtuara nga shteti i Izraelit duhet të kenë treguesin e territorit të tyre të origjinës” në mënyrë që konsumatorët e BE-së të mund të jenë “të informuar për zgjedhjen” kur blejnë produkte nga Izraeli.
Bregu Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, shihet si territor i pushtuar sipas ligjit ndërkombëtar, duke i bërë kështu të paligjshme të gjitha vendbanimet hebraike atje.
Ashtu si Turqia dhe pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar, BE-ja nuk e njeh sovranitetin e Izraelit mbi territoret që ka pushtuar që nga viti 1967.
Që nga viti 2001, BE-ja i ka bërë vazhdimisht thirrje Izraelit që t’i jap fund të gjitha aktiviteteve lidhur me vendbanimet ilegale dhe rrënimin e atyre ekzistuese. /aa