Belgjika ka bërë të ditur se do të vendosë sanksione ndaj kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Gjatë vizitës së ministres belge të Punëve të Jashtme, Hadja Lahbib, në fshatin Mazra’ah Al Qibliyah në Bregun Perëndimor, ajo tha se Belgjika dënon vendbanimet dhe ka vendosur të sanksionojë kolonët e dhunshëm.
“Sipas ligjit ndërkombëtar, këto vendbanime janë të paligjshme”, theksoi Lahbib.
Ministrja belge në Ramallah u takua gjithashtu me kryeministrin palestinez, Mohammed Shtayyeh dhe homologun e saj palestinez, Riyad al-Maliki.
“Unë shpreha solidaritetin e Belgjikës me popullin palestinez për dhjetëra mijëra viktima civile në Gaza. Situata humanitare në terren është katastrofike”, shkroi Lahbib në platformën sociale X.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në enklavën palestineze që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë rreth 1.200 njerëz.
Të paktën 32.500 palestinezë janë vrarë që atëherë dhe mbi 74.900 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave themelore.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.