Bektashizmi në dëm të shqiptarëve muslimanë dhe të Shqipërisë

Justinian Topulli

Hoxhallarët tanë të vjetër, që kontribuuan për këtë vend që të bëhej, nuk ishin njerëz injorantë nga feja, dhe e njihnin mirë jo vetëm Islamin, por edhe realitetin politik të kohës, situatën e brendshme të shqiptarëve dhe çfarë luhej në kurriz të tyre, sidomos ndaj një kombi me shumicë myslimane, siç jemi ne shqiptarët.

Ata e njihnin edhe Bektashizmin shumë më mirë sesa ne sot dhe i njihnin edhe ato doktrina dhe praktika të tij që nuk kanë lidhje fare me Islamin, siç edhe e dinin se brenda vetë bektashinjve kishte qëndrime të ndryshme. Ata, gjithashtu ishin të vetëdijshëm se shumica e shqiptarëve myslimanë që identifikoheshin si bektashinj, ishin njerëz të paditur nga Islami, madje edhe jo pak baballarë bektashinj ishin të tillë.

Por mbi të gjitha, këta hoxhallarë ishin largpamës dhe syhapur se tentativat për t’i keqpërdorur bektashinjtë si instrument përçarës mes myslimanëve shqiptarë dhe në dëm të tyre, ishin përherë të mundshme nga politika e jomyslimanëve, që ëndërronte gjithmonë për konvertime apo kthim në fenë e të parëve. Këto projekte janë më të vjetra edhe sa vetë shteti shqiptar dhe koha po tregon se nuk janë ndalur, edhe pse mund të jenë pezulluar përkohësisht.
Kështu që nga kjo vetëdije fetare islame dhe kombëtare, dhe rreziku evident që ekzistonte, këta hoxhallarë kanë mbajtur një qëndrim të matur karshi bektashinjve shqiptarë, sepse me ta i lidhte kombi dhe vetë identifikimi i tyre si myslimanë, ndaj dhe dhënia e një gjykimi fetar të zhveshur nga komponentët e tjerë socialë, kulturorë, historikë dhe politikë të terrenit, do të ishte me pasoja të rënda për mbarë myslimanët shqiptarë dhe për Shqipërinë gjithashtu.
Përpjekjet për t’i instrumentalizuar bektashinjtë dhe Bektashizmin, duke e trajtuar si fe më vete, si komunitet më vete, e tashmë edhe si potencial për një shtet sovran më vete, nuk kanë shkuar gjithmonë dëm, sepse kanë gjetur gjithmonë njerëz që i janë përgjigjur këtyre agjendave anti-Islame dhe anti-shqiptare.

Ngjarjet që po përjetojmë, nëse tregohemi të vëmendshëm të lidhim copat e enigmës, dëshmojnë qartë se diçka aspak e vogël ka kohë që gatuhet në prapavijë dhe në çdo rast, më të dëmtuarit janë dhe do të jenë pikërisht myslimanët shqiptarë. Kështu që ata myslimanë që nxitojnë të tregojnë me zell haramet, devijimet, kufret dhe herezitë e bektashinjve të paditur, të cilat sigurisht që njihen, duhet të kenë parasysh çfarë thamë më sipër, duke marrë parasysh edhe pasojat e rënda që do të sjellin këto projekte të dirigjuara nga jashtë.

Ndërkohë, hapësira e thirrjes islame me urtësi dhe maturi, nisur nga dhembshuria dhe mëshira për bashkëkombësit tanë të një gjaku, gjuhe dhe kombi, e që i thonë së paku vetes myslimanë, duhet të jetë parësore për ne. Kjo nuk do të thotë aspak pranim i së pavërtetës dhe asaj që nuk është Islam, por do të thotë të jesh i urtë për të vendosur gjërat e duhura në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, duke ndrequr sa më shumë dhe duke dëmtuar sa më pak të jetë e mundur, këtë islam të brishtë mes shqiptarëve që gjendet mes ujqërve të shumtë.

Justinian Topulli