Ministri i Bujqësisë dhe Pyjeve, Bekir Pakdemirli, njoftoi të enjten se janë vënë nën kontroll të gjitha zjarret në Turqi.
Bekir Pakdemirli mbajti një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Energjetikës dhe Burimeve Natyrore, Fatih Donmez, në Qendrën e Koordinimit të Fatkeqësive në rrethin Marmaris të provincës Mugla.
Ai bëri me dije se zjarri pyjor në rrethin Bucak të provincës Burdur është plotësisht nën kontroll.
“Në fatkeqësi, ne u bëmë një grusht i vetëm me kombin tonë të dashur për pyjet tona. I kemi vënë nën kontroll të gjitha zjarret”, theksoi Pakdemirli.
Sa i përket fatkeqësisë së përmbytjeve në Sinop, Kastamonu dhe Bartin, ministri i Bujqësisë dhe Pyjeve tha se rreziku meteorologjik mbetet, pasi dita e premte dhe e shtuna do të karakterizohen nga reshje të mëdha që mund të sjellin vërshime.
Kurse ministri i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore, Fatih Donmez, dha informacione në lidhje me termocentralin në Yenikoy.
“Ne vumë në funksion njësinë e dytë që në orën 06:42 (me kohën lokale) të mëngjesit të sotëm. Impianti filloi të punojë me kapacitet të plotë”, saktësoi Donmez.