Bëhet thirrje për qetësi pas reagimeve ndaj karikaturave fyese në Angli

Politikanë dhe prijës fetar në Angli kanë bërë thirrje për qetësi pas reagimeve ndaj karikaturave për Profetin Muhamed (a.s).

 

Për të dytën ditë me radhë protestuesit u mblodhën jashtë shkollës së gramatikës në Batley në West Yorkshire të premten, pasi shkolla njoftoi se do të mbyllej pas incidentit.

Këto erdhën pasi një mësues u shfaqi nxënësve një karikaturë të papërshtatshme të Profetit Muhamed (a.s) të hënën duke shkaktuar protesta nga komuniteti musliman dhe reagime të shumta.

Reagimet e shkollës ishin të menjëhershme duke kërkuar falje, duke anuluar kursin si dhe suspenduar mësuesin, mirëpo ishin reagimet e zyrtarëve të arsimit që shkaktuan zemërim.

Sekretari i Shtetit për Arsim në Mbretërinë e Bashkuar z. Gavin Williamson kishte dënuar protestat duke thënë se është e papranueshme të kërcënosh apo frikësosh mësuesit.

“Ne inkurajojmë dialogun mes shkollave dhe prindërve kur shfaqën çështje, megjithatë, natyra e protestës që kemi parë, duke përfshirë kërcënimet dhe shkeljet e kufizimeve të koronavirusit, janë plotësisht të papranueshme dhe duhet ti jepet fundi,” kishte thënë Williamson.

“Shkollat janë të lira të përshijnë një gamë të gjerë të burimeve, ideve dhe materialeve në kurrikulen e tyre, përfshirë gjërat sfiduese, ato të diskutueshme, në varësi të detyrimeve të tyre për të siguruar ekuilibrat politik. Ata duhet të balancojnë këtë më nevojën për të promovuar respekt dhe tolerancë mes njerëzve me besime të ndryshme, përfshirë edhe vendimin se cilat materiale të përdorin në klasë,” thotë Williamson.

Komisioni Islamik për të Drejtat e Njeriut (IHRC) me qendër në Londër kërkoi nga sekretari i Arsimit Gavin Williamson të tërhiqte deklaratat e tij duke thënë se asnjë nga pretendimet e sekretarit nuk janë vërtetuar nga video incizimet e protestës së prindërve jashtë shkollës dhe se këto pretendime kanë qëllim tërheqjen e vëmendjes nga çështja thelbësore e që është provokimi i qëllimshëm dhe poshtërues nga një mësues ndaj nxënësve musliman. E dyta demonizimi i prindërve, studenteve dhe komunitetin në përgjithësi.

Imami i xhamisë si dhe kryetari i xhamive në Leeds Qari Asim, tha se protestat duhet të mbarojnë  duke shtuar se “Ne nuk duam të i fryjmë zjarrit të Islamofobisë në tërë këtë situatë.”

Tracy Brabin, deputete e Laburistëve për Batley tha se “Ata që kërkojnë të i fryjnë zjarrit në këtë incident vetëm se do të provokojnë urrejtje dhe përçarje në komunitetin tonë dhe unë do të inkurajoja të gjitha të përfshihen të punojmë së bashku për të qetësuar situatën.”

Shkolla e Gramatikës në Batley ka rreth 700 nxënës një e treta e tyre që vijnë nga pakicat etnike. /Mesazhi.com