Zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha se Brukseli gjatë kësaj jave ishte informuar, por nuk ishte konsultuar në lidhje me planet e Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe lirinë e lëvizjes në territorin e Kosovës.
“Sipas marrëveshjeve nga dialogu për lirinë e lëvizjes të vitit 2011 dhe 2016, Kosova ka të drejtë që gradualisht t’i heqë targat KM (të cilat i lëshon Serbia). Marrëveshjet janë të qarta se në Kosovë përdoren vetëm targa të lëshuara nga Kosova”, ka theksuar Stano, raporton EruonewsSerbia, transmeton Telegrafi.
Ai shton se është e rëndësishme që të jepet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani, dhe të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane.
“Liria e lëvizjes është gurthemeli i Bashkimit Evropian. Ne presim që Kosova dhe Serbia të promovojnë lirinë e lëvizjes në rajon dhe të veprojnë në mënyrë konstruktive në këtë drejtim dhe të mos paraqesin ndonjë pengesë të paarsyeshme që do të kufizonte lirinë e lëvizjes”, tha Stano.
Në emër të BE-së, ai përsëriti thirrjen ndaj të dyja palëve të shfrytëzojnë dialogun e udhëhequr nga BE si një platformë për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura, duke përfshirë ato që lidhen me lirinë e lëvizjes dhe targat e automjeteve.
“BE pret që Kosova dhe Serbia të kultivojnë një mjedis të favorshëm për pajtimin, stabilitet rajonal dhe bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve të tyre. Ky është çelësi për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, në të cilën palët tani duhet të fokusohen plotësisht”, përfundoi Stano.
Qeveria e Kosovës miratoi të mërkurën vendimin për mundësinë e riregjistrimit të veturave me targat e qyteteve në Kosovë – të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë – në RKS (Republika e Kosovës).
Bëhet fjalë për veturat me targat PR (Prishtinë), GL (Gjilan), PZ (Prizren), KM (Mitrovicë e Kosovës) e kështu me radhë.
Në deklaratën e Qeverisë së Kosovës, të lëshuar më 29 qershor, sqarohet se riregjistrimi i këtyre veturave do të fillojë më 1 gusht dhe do të zgjasë deri më 30 shtator.
“Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi”, thuhet në deklaratë.
Aty, po ashtu, theksohet se riregjistrimi i veturave me targat e përmendura, nuk do të jetë i mundur pas afatit.