Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Turqi, Nikolas Meyer-Landrut, ka deklaruar se blloku evropian synon të forcojë bashkëpunimin me Turqinë në çështjet e migrimit të parregullt dhe sigurisë kufitare, raporton Anadolu Agenc (AA).
Duke folur në një konferencë për media në provincën lindore turke Van, Meyer-Landrut shpjegoi si vitet e fundit BE-ja ofroi mbështetje me vlerë mbi 350 milionë euro, duke shtuar se blloku evropian është i gatshëm të ruajë bashkëpunimin dhe mbështetjen në këtë çështje.
Ai tha se BE-ja po ndjek nga afër zhvillimet në Afganistan, veçanërisht imigracionin dhe sigurinë, pasi talebanët formuan një qeveri të përkohshme javën e kaluar.
Pasi foli për vështirësitë me të cilat përballet Turqia në kufirin iranian, ku emigrantët afganë duket se përpiqen të kalojnë, Meyer-Landrut tha se vështirësi të tilla ndahen nga Turqia, rajoni dhe Evropa, si dhe pjesa tjetër e botës.
Këshilli evropian do të katërfishojë ndihmën humanitare për publikun afgan në 200 milionë euro deri në fund të vitit 2021, siç u diskutua sot në një konferencë të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë, me qëllim të mbledhjes së më shumë parave për rritjen e nevojave humanitare në Afganistan.
Meyer-Landrut tha se BE-ja i bashkohet Turqisë në qëllimin e saj për të mbështetur vendet fqinje të Afganistanit për të siguruar azil për refugjatët afganë dhe për të garantuar sigurinë e tyre.
Derisa Turqia dhe BE-ja u pajtuan mbi mënyrat për të menaxhuar emigracionin dhe kufijtë, tha ai, kjo çështje fitoi një rëndësi të mëtejshme në kufirin lindor të vendit me zhvillimet e fundit.
Duke theksuar se BE-ja synon të parandalojë migracionin e parregullt, Meyer-Landrut tha se blloku evropian po ashtu dëshiron të rrisë dhe të forcojë kapacitetin për menaxhimin e migracionit, të parandalojë trafikimin e njerëzve, si dhe kontrabandën e drogës dhe të armëve.
Turqia, e cila tashmë strehon 4 milionë refugjatë, më shumë se çdo vend tjetër në botë, po merr masa të reja të sigurisë në kufijtë e saj për të parandaluar një fluks të ri emigrantësh.
Më 15 gusht, talebanët morën kontrollin e kryeqytetit afgan Kabul, duke shkaktuar një nxitim për ikje nga vendi, përfshirë civilët që ndihmuan ushtarët ose grupet e huaja, të cilët kanë frikë nga hakmarrja e talebanëve. /aa