BE: Shembja e shtëpive të palestinezëve minon shpresat për paqe

Bashkimi Evropian tha se shembja e shtëpive dhe bizneseve të palestinezëve nga autoritetet izraelite është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe minon shpresat për paqe, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyra e BE-së në Kuds në një deklaratë nga llogaria e saj në Twitter theksoi se Izraeli të martën më 23 nëntor shembi shtëpitë, hambarët dhe strukturat palestineze ende në fazën e ndërtimit në Kuds, El-Khalil (Hebron), Ramallah dhe në Nablus.

Për shkak të shembjeve kanë mbetur pa shtëpi 22 palestinezë, ku 15 prej tyre fëmijë, thuhet në deklaratën në të cilën bëhet thirrje për t’i dhënë fund shembjeve dhe praktikave të paligjshme që largojnë me forcë palestinezët nga shtëpitë e tyre.

Praktikat e shembjeve dhe konfiskimit të shtëpive dhe bizneseve të palestinezëve në 9 muajt e parë të vitit 2021 kanë shënuar 22 për qind rritje në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më parë.

Gjithashtu në deklaratë thuhet se shembja e shtëpive dhe bizneseve palestineze nga autoritetet izraelite është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe minon shpresat për paqe.

Praktikat e Izraelit në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor

Izraeli i cili ndërton vendbanimet e paligjshme hebreje në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor nën okupim, nxjerr vështirësi të ndryshme për palestinezët që banojnë në rajonet në fjalë.

Administrata izraelite shemb me forcë shtëpitë e palestinezëve me arsyen se nuk kanë “leje ndërtimi” në “zonën C” të Bregut Perëndimor dhe në Kudsin Lindor.

Ndërsa për palestinezët, duhet që në disa raste të presin për vite për të marrë “lejen e ndërtimit”.

Në raportin që organizata palestineze e shoqërisë civile “Qendra për Kërkimin e Tokës” publikoi në muajin tetor, është theksuar se Izraeli që nga viti 1967 që është edhe viti i fillimit të pushtimit e deri më tani, ka shembur 11.900 shtëpi të palestinezëve si dhe ka zhvendosur 73 mijë njerëz në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor. /aa