BE-së s’i intereson se kë e dërgon Kosova në Dialog, kërkesë e vetme është heqja urgjente e taksës

Vizita e parë në Bruksel e Delegacionit të Kosovës për dialog me Serbinë, prej kur ky delegacion ishte zyrtarizuar në Kuvendin e Kosovës, ka kaluar duke prezantuar rolin e këtij dialogu dhe qëndrimet siç i shohin vetë pjesëtarët e tij, ndërsa nga ana e BE-së duke rikujtuar rolin dhe qëllimet e BE-së si lehtësuese dhe përsëritjen e kërkesave për krijimin e kushteve për vazhdimin e dialogut, sidomos heqjen urgjente të taksës që Kosova ka vendosur për importin e mallrave nga Serbia. Delegacioni i Kosovës ka pasur takim me ekipin e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) dhe i ka takuar edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini, shkruan sot “Koha Ditore”. Bashkëkryesuesit e Delegacionit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, që kësaj radhe ishin në krye të një delegacioni shumë të madh, insistuan pas takimit se ky delegacion shtetëror është tash adresa e vetme për dialog, e madje edhe ftesat për presidentin duhet të shkojnë përmes këtij delegacioni. Në BE vazhdojnë të pohojnë se “nuk i takon BE-së të thotë se kush duhet e kush jo ta përfaqësojë Kosovën në dialog”. Por ajo që kërkon BE-ja edhe pas këtij takim i është heqja urgjente e taksës për mallrat nga Serbia. Në përpjekje për të siguruar një dalje nga kjo bllokadë, në Beograd dhe Prishtinë vjen Angelina Eichhorst, drejtore në EEAS, që ka rolin kryesor në dialog. Duket se rrugëdalja kërkohet përmes “pezullimit” të zbatimit të vendimit për taksën, përderisa të mos arrihet zgjidhja.