BE rrit ndihmën financiare për Autoritetin Palestinez pasi Izraeli mban të ardhurat nga taksat

Dubravka Suica

Bashkimi Evropian (BE) do të rrisë mbështetjen financiare për Autoritetin Palestinez (AP) me një paketë trevjeçare me vlerë rreth 1.6 miliardë euro (1.8 miliardë dollarë), ka thënë për agjencinë Reuters komisionerja evropiane për Mesdheun, Dubravka Suica.

Ajo theksoi se BE-ja pret që AP-ja të ndërmarrë disa reforma në këmbim të fondeve.

Kjo ndihmë pritet të ndihmojë në mbulimin e një mungese të madhe në buxhetin e AP-së, e cila njoftoi javën e kaluar se autoritetet izraelite po mbajnë rreth 1.8 miliardë dollarë të ardhura nga taksat që grumbullohen nga importet palestineze.

Izraeli ka përdorur shpesh kontrollin mbi financat palestineze si mjet presioni ndaj AP-së, përfshirë edhe pas kërkesës së saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për të shqyrtuar ligjshmërinë e okupimit shumëvjeçar të territoreve palestineze.

Autoriteti Palestinez, që nga mesvitet ’90 qeveris pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, është përballur me kritika të shumta, përfshirë edhe për rolin e tij në bastisjet e dhunshme të fundit në Jenin.