BE: Përpjekjet e grupit të kolonëve izraelitë për të marrë pronat e krishtera në Kuds duhet të ndalen

Misionet e Bashkimit Evropian (BE) në Kuds dhe Ramallah shprehën shqetësimin për marrjen e pronave ortodokse greke nga një grup izraelit në qytetin e vjetër të Kudsit Lindor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Përpjekjet e kolonëve për të marrë pronën e krishterë në qytetin e vjetër të Kudsit duhet të ndalen pasi rrezikojnë trashëgiminë dhe traditat e komunitetit të krishterë”, tha në një deklaratë zyra e BE-së në territoret palestineze.

Më herët, Gjykata e Lartë izraelite hodhi poshtë një apel të Patriarkanës Ortodokse Greke kundër marrjes së pronave të krishtera nga organizata e kolonëve Ateret Cohanim.

Një vendim i tillë nga gjykata izraelite përbën “një kërcënim për bashkëjetesën paqësore të të tre feve monoteiste në Kuds, si dhe për ekuilibrin e vendosur fetar”, shtohet në deklaratë.

BE-ja bëri thirrje për ruajtjen e “status quo-së” të qytetit duke ruajtur dhe respektuar karakterin e tij.

Për më shumë se 17 vjet, Patriarkana Ortodokse Greke ka kundërshtuar pretendimet e organizatës Ateret Cohanim për blerjen e ligjshme të pronave të kishës në zonën e Portës Jaffa, duke përfshirë Hotelin Imperial dhe Hotelin Petra. /aa