BE ngre padi kundër Hungarisë në gjykatën e lartë mbi ligjin për mbrojtjen e sovranitetit të vendit

Komisioni Evropian ka ngritur një padi kundër Hungarisë në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian (BE), duke pretenduar se ligji hungarez për mbrojtjen e sovranitetit shkel ligjin e bllokut evropian, transmeton Anadolu.

“Sot, Komisioni Evropian vendosi ta dërgojë Hungarinë në Gjykatën e Drejtësisë, sepse ligjin e saj kombëtar për ‘Mbrojtjen e Sovranitetit’ e konsideron si shkelje të ligjit të BE-së”, tha Komisioni Evropian.

Sipas Komisionit Evropian, “ky ligj kombëtar krijon një ‘Zyrë për Mbrojtjen e Sovranitetit’, e ngarkuar me hetimin e aktiviteteve specifike që thuhet se kryhen në interes të një shteti tjetër ose të një organi, organizate ose personi fizik të huaj, që supozohet se mund të shkelë ose të rrezikojë sovranitetin e Hungarisë dhe organizatat, aktivitetet e të cilave duke përdorur fonde të huaja dyshohet se ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve ose vullnetin e votuesve”.

Në shkurt të vitit 2024, Komisioni Evropian i dërgoi Hungarisë një letër të njoftimit zyrtar duke ngritur shqetësimet e saj.

“Përgjigja e Hungarisë ndaj letrës së njoftimit zyrtar ishte e pakënaqshme”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian, duke shtuar se organi evropian lëshoi një opinion të arsyetuar në maj të vitit 2024, duke përsëritur ankesat në lidhje me shkeljen e të drejtave themelore të ruajtura në Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së, Liritë Themelore të Tregut të Brendshëm dhe legjislacionit të BE-së për mbrojtjen e të dhënave.

Në përgjigje të këtij opinioni të arsyetuar, Hungaria pretendoi se “Ligji për Mbrojtjen e Sovranitetit” nuk shkel ligjin e BE-së dhe se shqetësimet e ngritura janë të pabaza.

“Pas vlerësimit të kujdesshëm të përgjigjes së autoriteteve hungareze, Komisioni Evropian ruan shumicën e ankesave të identifikuara, të cilat ende nuk janë adresuar”, thuhet në deklaratë.

BE-ja ka kritikuar Hungarinë për disa kohë, duke pretenduar se ajo po përkeqësohet në parime të tilla si demokracia dhe shteti i së drejtës.

Procedura e nisur nga BE-ja me arsyetimin e “shkeljes së ligjit të bllokut” evropian rezultoi në ngrirjen e një pjesë të madhe të buxhetit të përbashkët të Hungarisë.

Hungaria po ashtu kritikohet se nuk i përmbahet politikës së jashtme të përbashkët të BE-së për shkak të marrëdhënieve me Rusinë.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, vizitoi Moskën në ditën e pestë të presidencës së vendit të tij me BE-në, e cila filloi më 1 korrik.

Vizita përshkallëzoi tensionet.