Bashkimi Europian ka miratuar zyrtarisht një embargo ndaj naftës ruse dhe sanksione të tjera që synojnë bankat dhe transmetuesit kryesorë për luftën e Moskës kundër Ukrainës.
Selia e BE-së deklaroi se nafta e papërpunuar ruse do të hiqet gradualisht gjatë gjashtë muajve, së bashku me produkte të tjera të rafinuara të naftës gjatë tetë muajve.
Ata shtuan se “një përjashtim i përkohshëm është parashikuar” për vendet pa dalje në det, si Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia, të cilat “vuajnë nga varësia specifike e furnizimeve ruse të cilat nuk kanë më alternativa të tjera”.
BE shtoi se Bullgaria dhe Kroacia do të marrin gjithashtu “derogime të përkohshme” për disa lloje nafte.
Udhëheqësit e BE-së thonë se masa do të thotë se rreth 90% e eksporteve të naftës të Rusisë në Europë do të bllokohen deri në fund të vitit.
BE importon rreth 25% të naftës së saj nga Rusia, raporton Sky News.
Sberbank, banka më e madhe e Rusisë, Banka e Kreditit e Moskës, Banka Ruse e Bujqësisë dhe Banka Bjelloruse për Zhvillim dhe Rindërtim janë bllokuar gjithashtu nga përdorimi i sistemit Swift për transfertat bankare ndërkombëtare. /euronews