Bashkimi Evropian tha të shtunën se ishte thellësisht e shqetësuar për një projektligj izraelit që do të ndalonte agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) të operonte në Izrael dhe me gjasë do të zvogëlonte shpërndarjen e ndihmave në Gazën e shkatërruar nga lufta, raporton Associated Press.
Sipas AP, në fillim të kësaj jave një komitet parlamentar izraelit miratoi disa projektligje që do të ndalonin UNRWA-n të vepronte në territorin izraelit dhe do t’i jepte fund të gjitha kontakteve midis qeverisë dhe agjencisë së OKB-së. Projektligji ka nevojë për miratim përfundimtar nga Knesset, parlamenti i Izraelit.
“Nëse miratohet, (ligji) do të kishte pasoja katastrofike, duke penguar agjencinë e OKB-së që të vazhdojë të ofrojë shërbimet dhe mbrojtjen e saj për refugjatët palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke përfshirë Jerusalemin Lindor dhe Gazën,” tha unioni evropian në një deklaratë.
Izraeli ka pretenduar se disa nga mijëra anëtarët e stafit të UNRWA-s morën pjesë në sulmin e Hamasit të 7 tetorit 2023 . Që atëherë, OKB-ja ka pushuar më shumë se një duzinë punonjësish pasi hetimet e brendshme zbuluan se ata mund të kenë marrë pjesë në sulmin që vrau 1200 njerëz në Izraelin jugor. /abcnews