Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa riafirmoi “mbështetjen e plotë” të bllokut për Danimarkën në përgjigje të planit të presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur kontrollin mbi Grenlandën, transmeton Anadolu.
Duke folur për Euronews në një intervistë të mërkurën, Costa theksoi se integriteti territorial i Danimarkës është një “çështje thelbësore” për BE-në.
“Danimarka është një shtet sovran. Danimarka përcakton interesat e saj dhe Bashkimi Evropian do ta mbështesë Danimarkën”, tha Costa.
“Ne nuk duhet të ndalojmë së mbrojturi këto parime kur integriteti territorial i një shteti anëtar të Bashkimit Evropian është në rrezik”, tha ai, duke theksuar se sovraniteti dhe stabiliteti mbeten vlerat thelbësore të BE-së.
Tensionet u përshkallëzuan pasi Trump refuzoi të përjashtonte masat ekonomike ose ushtarake për të siguruar Grenlandën, duke pretenduar se kjo është thelbësore për “mbrojtjen e botës së lirë”.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen u përgjigj duke mbledhur liderët evropianë, duke e bërë të qartë se ishulli “gjysmautonom nuk është në shitje”.
Ndërsa Grenlanda nuk është anëtare e BE-së, ajo mban lidhje të veçanta me bllokun 27-anëtarësh. Komisioni Evropian konfirmoi se, në rast agresioni ushtarak, do të zbatohej klauzola e mbrojtjes reciproke e BE-së.
“Ne nuk do të spekulojmë. Natyrisht po shpresojmë që kjo të mos kthehet në konflikt dhe, nëse ka një konflikt, të zgjidhet në mënyrë miqësore, siç është e përshtatshme midis aleatëve”, shtoi ai.
Grenlanda, një territor nën sovranitetin danez që nga viti 1953, ka tërhequr interesin e Trumpit për shkak të vendndodhjes së saj strategjike dhe burimeve të mëdha minerale.
Financial Times raportoi javën e kaluar se Frederiksen dhe Trump zhvilluan një telefonatë të tensionuar 45-minutëshe për këtë çështje, duke i bërë zyrtarët në Kopenhagë thellësisht të shqetësuar.
Trump fillimisht hodhi idenë e marrjes së Grenlandës gjatë mandatit të tij të parë në detyrë, një ide që Danimarka e hodhi poshtë plotësisht. Megjithatë, kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë ka ringjallur frikën e një shtytjeje më agresive për të siguruar kontrollin mbi ishullin.
Costa trajtoi gjithashtu marrëdhëniet më të gjera BE-SHBA, veçanërisht tarifat e propozuara të Trumpit për mallrat evropiane.
“Ashtu si Shtetet e Bashkuara duan të mbrojnë interesat e tyre, Bashkimi Evropian ka përgjegjësinë të mbrojë interesat e kompanive të tij, qytetarëve të tij dhe unionit tonë”, tha ai, duke bërë thirrje për një dialog normal dhe të qetë.