Veprimi i BE-së pason një deklaratë të një grupi senatorësh të lartë amerikanë që dënuan ndikimin e dyshuar rus në zgjedhjet rumune.
Bashkimi Evropian (BE) e ka nisur një hetim ndaj platformës kineze të rrjeteve sociale, TikTok, në lidhje me akuzat se u përdor nga Rusia për të ndikuar në rezultatin e rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani, të cilin e fitoi një kandidat miqësor me Moskën.
Kandidati i pavarur, goxha i panjohur, Calin Georgescu, arriti fitore tronditëse në rundin e parë të zgjedhjeve më 24 nëntor, duke i marrë rreth 23 për qind të votave.
Ai pritej të përballej me kandidaten proevropiane, Elena Lasconi, në balotazhin e 8 dhjetorit.
Megjithatë, pasi Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Rumanisë e publikoi dokumentet e klasifikuara, që drejtuan gishtin kah “një aktor shtetëror”, që s’u emërua por dukej të ishte Rusia, Gjykata Kushtetuese e Rumanisë e shfuqizoi rundin e parë dhe urdhëroi që zgjedhjet të mbahen përsëri nga fillimi në muajt në vijim.
Mandati i presidentit në detyrë, Klaus Iohannis, është zgjatur përkatësisht, megjithëse mandati i tij i dytë pesëvjeçar përfundoi këtë muaj.
“Duke ndjekur indikacione serioze se aktorë të huaj ndërhynë në zgjedhjet presidenciale rumune përmes TikTok-ut, ne tani po hetojmë në mënyrë të hollësishme nëse TikTok-u ka shkelur Aktin për Shërbimet Digjitale duke dështuar t’i trajtojë këto rreziqe”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 17 dhjetor.
Ajo tha se komisioni do ta vazhdojë mbledhjen e provave, “për shembull, duke dërguar kërkesa të mëtejshme për informacion, duke kryer veprime monitoruese, intervista, inspektime dhe duke kërkuar qasje në algoritmet”.
Ndërkohë, BE-ja e urdhëroi më 5 dhjetor TikTok-un t’i ngrijë dhe ruajë të dhëna e lidhura me “rreziqe sistematike aktuale, ose të parashikueshme”, që kanë të bëjnë me zgjedhjet kombëtare në bllokun me 27 anëtarë, nga 24 nëntori deri në mars të vitit të ardhshëm.
TikTok-u tani duhet të sigurojë të dhëna dhe dokumente të mbajtura sipas urdhrit të 5 dhjetorit, tha von der Leyen.
Veprimi i BE-së pason një deklaratë të një grupi senatorësh të lartë amerikanë që dënuan ndikimin e dyshuar rus në zgjedhjet rumune.
“Sulmi i Vladimir Putinit ndaj zgjedhjeve në Rumani është një shembull tjetër i luftës hibride që ai po zhvillon kundër aleatëve dhe partnerëve tanë evropianë”, thanë senatorët amerikanë Pete Ricketts (republikan nga Nebraska), Ben Cardin (demokrat nga Mariland), Jim Risch (republikan nga Idaho) dhe Jeanne Shaheen (demokrate nga Nju Hempshirë) në një komunikatë.
“Si një aleat i fortë i NATO-s, ne mbështesim Rumaninë në përpjekjen për të ruajtur integritetin e zgjedhjeve të saj. Ne dënojmë manipulimin e Vladimir Putinit përmes TikTok-ut, që kontrollohet nga Partia Komuniste Kineze (PKK), për të minuar procesin demokratik në Rumani”, thanë senatorët.