Bashkimi Evropian (BE) do të mbështesë vendet e rrezikuara me 600 milionë euro shtesë për t’u përballur me krizën ushqimore të rënduar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, raporton Anadolu Agency (AA).
“Për të ndihmuar partnerët tanë, ne do të përgatisim 600 milionë euro shtesë për të shmangur krizën ushqimore dhe tronditjet ekonomike”, njoftoi Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, në konferencën e Ditëve Evropiane të Zhvillimit 2022 në Bruksel sot.
Ajo tha se lufta që filloi në shkurt po merr një “kosto të rëndë dhe të pakuptimtë”, jo vetëm mbi popullsinë ukrainase, por edhe atyre më të cenuarve në mbarë botën.
“Rusia vazhdon të bllokojë miliona tonë drithë skajshmërisht të nevojshëm”, shtoi ajo.
Komisioni Evropian miratoi propozimin për mobilizimin e fondeve nga rezervat e Fondit Evropian të Zhvillimit për të ndihmuar vendet e Afrikës, Karaibeve dhe Paqësorit “për t’u përballuar me situatën e rëndë”, tha ekzekutivi i BE-së në një deklaratë.
Me fondet shtesë, “ne do të forcojmë mbështetjen tonë për të adresuar krizën, duke kontribuar në sistemet ushqimore të qëndrueshme dhe elastike”, tha Komisionerja Evropiane për Partneritetet Ndërkombëtare Jutta Urpilainen.
Nga shuma totale, 150 milionë euro do të caktohen për ndihmë humanitare, 350 milionë euro për prodhim të qëndrueshëm dhe elasticitet të sistemeve ushqimore dhe 100 milionë euro për mbështetje makroekonomike.
Ndihma plotëson paketën e paralajmëruar më parë të bllokut prej 3 miliardë eurosh për sigurinë ushqimore.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha të hënën se do t’u dërgojë një letër kryediplomatëve të secilit vend afrikan për të kundërshtuar “propagandën ruse” mbi sigurinë globale të ushqimit.
Ai tha se furnizimi global i ushqimit nuk është rrezikuar nga sanksionet e BE-së, por sepse Rusia po bllokon dërgesat e grurit nga portet e Detit të Zi dhe po shkatërron të korrat.
Rusia mohon përgjegjësinë për krizën ushqimore, duke fajësuar sanksionet perëndimore.
Sipas Bashkimit Afrikan, sanksionet ndaj Rusisë, në veçanti përjashtimi i saj nga mekanizmi ndërkombëtar i pagesave SWIFT, ka shkaktuar probleme tek disa vende anëtare lidhur me blerjen e produkteve ushqimore. /aa