Komisioni Europian përcaktoi të mërkurën planet për t’u kundërpërgjigjur ndaj vendeve që ushtrojnë presion ekonomik mbi vendet anëtare të BE-së për të ndryshuar politikat e tyre, ndërsa theksoi se qëllimi kryesor i këtij plani ishte parandalimi.
Propozimi u ideua për të kundërshtuar një përhapje në rritje të tensioneve gjeopolitike në fushën e tregtisë. Shtetet anëtare të Bashkimit Europian kanë akuzuar administratën e ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe Kinën se kanë përdorur tregtinë si një mjet politik.
“Në një kohë që tensionet gjeopolitike rriten, tregtia po bëhet gjithnjë e më shumë një mjet lufte dhe, si rrjedhojë, BE dhe vendet e saj anëtare po bëhen objektiva të sulmeve ekonomike. Ne kemi nevojë për mjetet e duhura për t’u përgjigjur,” tha në një deklaratë Komisioneri Europian për Tregtinë, Valdis Dombrovskis.
“Me këtë propozim, ne po dërgojmë një mesazh të qartë se BE-ja do të jetë e vendosur në mbrojtjen e interesave të saj.”
Me të marrë një ankesë, Komisionit do t’i duhet të përcaktojë nëse masa ekonomike e një vendi të tretë ishte projektuar për të detyruar BE-në ose një nga vendet e saj anëtare për të ndryshuar politika të caktuara.
Një shqetësim aktual është presioni ekonomik me të cilin po përballet Lituania pasi lejoi Tajvanin të hapte një ambasadë de facto atje.
Kina i përkeqësoi marrëdhëniet diplomatike me shtetin e vogël Baltik dhe zyrtarët atje thonë se Pekini ka vendosur gjithashtu bllokime për eksportet lituaneze dhe ka ushtruar presion ndaj kompanive në vendet e treta që të mos bëjnë biznes me këtë vend.
Pas vendosjes së shtrëngimeve ekonomike, Komisionit do t’i duhet të kërkojë negociata me vendin e tretë ose të kërkojë ndërmjetësim apo bashkëpunim nga partnerë të tjerë përpara se të ndërmarrë veprime konkrete.
Më pas, Komisioni do të ketë në dispozicion një gamë të gjerë masash reaguese, duke përfshirë tarifat për mallrat ose shërbimet, bllokimin e fondeve të BE-së ose kufizimin e aksesit për pjesëmarrje në tenderat e prokurimit të BE-së apo në programet kërkimore.
Këto masa reaguese duhet të jenë proporcionale dhe të ideuara për dy qëllime: për të çuar në ndalimin e masave fillestare të aplikuara nga vendi i tretë, si dhe për të shkaktuar një dëm sa më të vogël në ekonominë e BE-së.
Propozimi ka ende nevojë për miratim nga Parlamenti Europian dhe qeveritë e BE-së, disa prej të cilave janë skeptike për këtë masë, të cilën ata e shohin si potencialisht proteksioniste dhe të prirur për të sjellë luftëra tregtare nëpërmjet këtyre bllokimeve të ndërsjellta.
Ky plan do t’i shtohej një armate masash tregtare që përfshijnë shqyrtimin e investimeve të huaja, kufizimet për firmat që përfitojnë nga subvencionet e huaja dhe pengimin e pjesëmarrjes në prokurimet publike për bizneset e vendeve që nuk hapin tregjet e tyre. /monitor