Bashkimi Evropian (BE) i ka bërë thirrje qeverisë së re të Sirisë që të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj unitetit kombëtar, duke theksuar se ndihma e ardhshme varet nga mbrojtja e minoriteteve dhe shmangia e ndëshkimit, transmeton Anadolu.
“Zhvillimet në Siri, rënia e regjimit të Asadit kanë qenë të shumëpritura dhe një zhvillim pozitiv. Sigurisht që tani është çështja se çfarë do të vijë më pas, çfarë mund të bëjmë ne”, u tha gazetarëve në Berlin shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
Ajo theksoi se gjatë takimit të sotëm me shefat e diplomacisë së Gjermanisë, Francës, Polonisë, Spanjës, Italisë dhe Britanisë, do të diskutohet për mbështetjen e Evropës për Ukrainën dhe zhvillimet e fundit në Siri.
“Është në interesin tonë që të mos ketë radikalizim, të mos ketë persekutim të minoriteteve, që vendi të shkojë drejt një vendi më të qëndrueshëm. Kjo është edhe në interes të të gjitha vendeve fqinje”, theksoi Kallas.
Shefja e diplomacisë së BE-së tha se për zhvillimet janë në kontakt të ngushtë me aktorët rajonalë dhe vendet fqinje.
“Sigurisht që Evropa është e gatshme të qëndrojë me popullin sirian dhe gjithashtu të bëjë më shumë, por ndihma jonë ka gjithashtu kushte. Ne duam të kemi një vend të qëndrueshëm, pa persekutim të minoriteteve, pa hakmarrje. Dhe vërtet unitet mes të gjitha grupeve në Siri”, theksoi Kallas.
Diktatori Bashar Asad, i cili sundoi Sirinë me një “grusht hekuri” për pothuajse 25 vjet, u arratis në Rusi të dielën pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut. Marrja e kontrollit erdhi pasi luftëtarët e Hayat Tahrir al-Sham (HTS) pushtuan qytetet kryesore në gjithë vendin në një ofensivë të shpejtë që zgjati më pak se dy javë.