Bashkimi Evropian (BE) po përgatitet të krijojë misionin e tij të përbashkët diplomatik në Afganistan brenda pak javësh, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Komisionit të BE-së, Nabila Massrali, tha se BE-ja vazhdon përpjekjet e saj për të mbajtur një “prezencë minimale” në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul.
Massrali, e cila për arsye sigurie nuk ka dashur të japë detaje, ka deklaruar se fillimi i përfaqësimit të përbashkët diplomatik do të jetë i mundur pas disa javësh.
Massrali theksoi se hapja e zyrës përfaqësuese “nuk do të thotë se BE-ja njeh talebanët”.
Zyrtarët e BE-së deklarojnë se është e pashmangshme vendosja e marrëdhënieve me administratën e përkohshme talebane për disa çështje, veçanërisht për çështje të tilla si ndihma e planifikuar humanitare për Afganistanin.
Franca, e cila po përgatitet të marrë presidencën e radhës së BE-së më 1 janar, sugjeroi që vendet e bllokut të krijojnë një mision të përbashkët diplomatik në Kabul.
Gjatë vizitës së tij në Katar më 4 dhjetor, presidenti francez, Emmanuel Macron tha: “Ne po mendojmë të krijojmë një vend të përbashkët, një organizatë që do të lejojë që ambasadorët tanë të gjenden midis disa vendeve evropiane”.
“Kjo është një nismë diplomatike e ndryshme nga njohja politike e talebanëve apo dialogu politik me talebanët. Ne do të kemi një zyrë përfaqësuese sa më shpejt që mund ta hapim”, tha Macron.
Zyrtarët e BE-së këmbëngulin se nuk do të njohin talebanët, të cilët morën pushtetin dhe formuan një qeveri të përkohshme pas tërheqjes së NATO-s nga Afganistani këtë verë, por ata deklarojnë se kanë nevojë për dialog dhe bashkëpunim për disa çështje. /aa