Ballina Lajmet Rajon dhe Botë BE-ja diskuton zgjidhjet afatshkurtra për të reduktuar varësinë ndaj SHBA-së për mbrojtjen

BE-ja diskuton zgjidhjet afatshkurtra për të reduktuar varësinë ndaj SHBA-së për mbrojtjen

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, tha se në takimin jozyrtar të ministrave të Mbrojtjes të BE-së që mbahet në Poloni, pret që vendet anëtare të deklarojnë kontributet që mund të japin në afat të shkurtër, për të reduktuar varësinë e Evropës nga SHBA-ja për mbrojtjen dhe për t’i ofruar Ukrainës ndihmën ushtarake që i nevojitet, transmeton Anadolu.

Ministrat e Mbrojtjes të vendeve të BE-së u takuan për një takim jozyrtar në Varshavë, kryeqytetin e Polonisë, që mban Presidencën e BE-së. Duke folur për mediat në hyrje të takimit, Kallas tha se ministrat do të diskutojnë se çfarë mund të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur për të ndihmuar Ukrainën dhe për të forcuar mbrojtjen e Evropës.

Kallas rikujtoi se Komisioni Evropian (KE) ka paraqitur një “Buletin të Bardhë” që përfshin objektivat e vitit 2030, i cili është një udhërrëfyes për mbrojtjen. “Ka shumë elementë që duhen diskutuar kur bëhet fjalë për financimin, furnizime të përbashkëta dhe projektet kryesore, flamurtare. Për këtë arsye sot pres diskutime shumë gjithëpërfshirëse dhe intensive”, tha ajo.

Ajo shtoi se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i ka përcjellë se u duhen 5 miliardë euro për 2 milionë plumba. “Gjërat po shkojnë shumë mirë në këtë kuptim. Jam e lumtur që shoh që vendet anëtare po vijnë me oferta dhe kontribute të ndryshme. Ne tashmë kemi përmbushur më shumë se gjysmën e asaj që nevojitet. Sot pres që vendet tona të shpjegojnë se çfarë mund të bëjnë më shumë për Ukrainën në një afat shumë të shkurtër”, tha Kallas.

“Sa më e fortë të jetë Ukraina në fushën e betejës, aq më e fortë do të jetë në tryezën e negociatave”, shtoi ajo.

– Tarifat reciproke të SHBA-së

Në lidhje me shpalljen e tarifave reciproke nga SHBA-ja, Kallas tha se nuk ka fitues në luftërat tregtare.

“Është e qartë se të gjitha këto tarifa tregtare do të rrisin çmimet për konsumatorët dhe në fund ata do të paguajnë çmimin për gjithçka. Pra, sigurisht që bashkëpunimi në mbrojtje që kemi me amerikanët është shumë i rëndësishëm. Nga ana tjetër, ne po mendojmë se çfarë mund të bëjmë më shumë për industrinë tonë të mbrojtjes sepse aktualisht ne blejmë shumë gjëra nga amerikanët. Duhet të diversifikojmë portofolin tonë”, tha Kallas.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi se duke filluar nga nesër SHBA-ja do të vendosë tarifa reciproke ndaj vendeve të tjera dhe se tarifa bazë do të jetë 10 për qind. Në kuadër të kësaj, pritet të zbatohet një tarifë reciproke prej 20 për qind ndaj BE-së.

Exit mobile version