Bashkimi Evropian (BE) dhe kompania farmaceutike suedezo-britanike AstraZeneca kanë arritur zgjidhje për mosmarrëveshjen ligjore të tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).
Blloku evropian njoftoi se me marrëveshjen e re, kompania AstraZeneca u zotua të japë 135 milionë doza të vaksinës COVID-19 deri në fund të këtij viti, përveç 100 milionë dozave tashmë të dërguara.
Deri në fund të muajit mars të vitit 2022 do të sigurohen 65 milionë doza të tjera, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vaksinave në 300 milionë, shifër e cila ishte rënë dakord fillimisht në vitin 2020 midis BE-së dhe kompanisë AstraZeneca përmes Marrëveshjes së Blerjes Paraprake.
Zgjidhja mbyll çështjen ligjore para Gjykatës së Brukselit.
BE-ja dhe kompania AstraZeneca kanë qenë në mosmarrëveshje për dërgesat e vaksinës që nga janari.
Kompania farmaceutike u kritikua nga zyrtarët e BE-së pasi ajo njoftoi vonesa në dërgesat e vaksinës për shkak të “rendimenteve të reduktuara në një vend prodhimi” derisa vazhdonte të furnizojë autoritetet shëndetësore britanike që autorizuan vaksinën një muaj më parë se BE-ja.
AstraZeneca argumentoi se ata kishin nënshkruar një kontratë me Mbretërinë e Bashkuar më herët se me BE-në dhe premtuan se do t’i dërgojnë vaksinat bllokut evropian me “përpjekjet më të mira të arsyeshme”.
Kompania fillimisht u regjistrua për të dërguar 300 milionë doza të vaksinës deri në muajin korrik.
Por ajo dërgoi vetëm 30 milionë nga 120 milionë dozat e kontraktuara për tremujorin e parë të këtij viti dhe më vonë njoftoi se do të dërgojë 70 milionë nga 180 milionë dozat e tjera.
Në muajin prill, BE-ja nisi një çështje ligjore kundër kompanisë farmaceutike për shkelje të detyrimeve të saj.
Në muajin qershor, Gjykata e Brukselit dha vendimin e shkallës së parë që të dyja palët e interpretuan si fitore, duke mbështetur pretendimet e tyre.
Procedura mendohej të vazhdojë në muajin shtator, por partnerët ranë dakord ta anulojnë atë me marrëveshje. /aa