Fokusi i Bashkimit Evropian për Kosovën në të ardhmen do të jetë në rritjen e investimeve që gjenerojnë vende të reja pune.
Kështu ka thënë udhëheqësi i Njësisë në Drejtorinë e Zgjerimit për Kosovën dhe Maqedoninë Veriore nga KE, David Cullen, i cili shtoj se BE-ja do ta rris mbështetjen financiare përmes fondeve IPA 3.
Por, para ministrave të Qeverisë Kurti, Cullen bëri me dije se Kosova duhet të bëjë reforma pasi përmbushja e kritereve ekonomike është kërkesë kyçe në rrugën evropiane.
“Për të demonstruar rëndësinë e mbështetjes të Komisionit Evropian, dëshirojmë që të bëjmë disa mbështetje për ekonominë e Kosovës që ka të bëjë në reformat ekonomike. Pra, si një shembull, IPA, është i dedikuar 109 milionë euro vitet e fundit për sektorët e energjisë, pothuajse 90 milionë për gjenerimin vendeve të punës, 47 milionë euro për arsimin. Kjo ishte mbështetje serioze dhe ka shumë potencial të paprekur, për çka dëshirojmë që të hulumtojmë sot në këtë tryezë për zotimet tona për instrumentin tonë të ri financiar, IPA III.”
Për këtë u zotua ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, i cili shtoj se prioritet i Qeverisë është luftimi i ekonomisë informale, që do t’i rriste të hyrat në arkën shtetërore dhe do të krijonte një ambient të barabartë në të bërit biznes.
Përfaqësuesit nga Misioni i Komisionit Evropian për Vlerësimin e Programit për Reforma Ekonomike kanë kërkuar që përveç investimeve në infrastrukturë të bëhen edhe në arsim e shëndetësi.