BE fillon bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën

Bashkimi Evropian (BE) ka nisur të martën negociatat e anëtarësimit me Ukrainën, transmeton Anadolu.

Duke iu drejtuar konferencës ndërqeveritare BE-Ukrainë përmes video-lidhjes, kryeministri ukrainas, Denys Shmyal, tha se “sot fillojmë zyrtarisht negociatat për pranimin e Ukrainës në BE, një ditë historike, një moment historik për Ukrainën dhe Evropën dhe për kombin tonë”.

“Anëtarësimi i ardhshëm i Ukrainës është përgjigja më e mirë ndaj sfidave aktuale të Evropës dhe një mundësi unike për të forcuar BE-në”, tha Shmyal.

Duke folur në emër të BE-së, ministri belg i Punëve të Jashtme, Hadja Lahbib, ra dakord se zhvillimi shënon një ditë historike për të dyja palët.

“Vendi juaj është pjesë e Evropës, historisë, trashëgimisë dhe kulturës evropiane. Ne mezi presim të intensifikojmë lidhjet tashmë të vendosura mirë”, tha Lahbib.

Ajo theksoi se procesi i zgjerimit është një investim strategjik në sigurinë e paqes, stabilitetin dhe prosperitetin dhe është një shtytës për përmirësimin e kushteve ekonomike dhe sociale të qytetarëve, reduktimin e pabarazive midis vendeve dhe nxitjen e vlerave mbi të cilat është themeluar blloku evropian.

Lahbib përsëriti gjithashtu se BE-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur Ukrainën në mbrojtje të integritetit të saj territorial për aq kohë sa duhet.

Në fillim të qershorit, Komisioni Evropian rekomandoi negociatat mbi pranimin e Moldavisë dhe Ukrainës në bllokun 27-anëtarësh.

Të premten e kaluar, Këshilli i BE-së dha dritën jeshile përfundimtare për fillimin e negociatave të pranimit me Moldavinë dhe Ukrainën.