Harta e shteteve që kanë shtrënguar kontrollet ndaj udhëtarëve sidomos nga Afrika e Jugut, është zgjeruar ndjeshëm pas identifikimit të variantit të ri “Omicron”.
Po ashtu janë shtuar përpjekjet për të çuar përpara fushatat e vaksinimit përforcues. Në këto kushte, Bashkimi Evropian ka lënë të hapur mundësinë që vaksinimi të bëhet me detyrim.
URSULA VON DER LEYEN
PRESIDENTE, KE
“Rreth 1/3 e popullsisë europiane nuk është vaksinuar, thënë ndryshe 150 milionë njerëz dhe kjo është shumë. Mendoj se është e kuptueshme që të diskutojmë tani se si mund të inkurajojmë imunizimin, ndoshta edhe duke e bërë të detyruar.”
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka kritikuar qeveritë për pezullimin e fluturimeve me vendet afrikane duke i quajtur masat të padrejta dhe joefektive.
ANTONIO GUTERRES
SEKRETAR I PERGJITHSHEM, OKB
“Ajo që është e papranueshme në kushtet kur virusi po qarkullon gjithandej, është fakti se një pjesë e botës me ekonominë më të brishtë dënohet me izolim. Ne i kemi instrumentet që të kemi udhëtim të sigurt prandaj le ti përdorim ato dhe të shmangim këtë diskriminim. Kjo është mënyra e vetme që të reduktohet rreziku i përhapjes së infektimit e që njëkohësisht mundëson angazhim ekonomik.”
Organizata Botërore e Shëndetësisë gjithashtu ka kundërshtuar ndalimin e udhëtimeve nga kontinenti afrikan.
MARIA VAN KERKHOVE
PROGRAMI I EMERGJENCES, OBSH
“Është ende shumë herët për të kuptuar këtë variant, nuk kemi informacionin e nevojshëm për të folur mbi transmetueshmërinë, por do të na duhen disa ditë për ta kuptuar këtë.”
Ndërkohë në SHBA është identifikuar rasti i parë i infektuar me variantin e ri. Ai ishte një person plotësisht i vaksinuar në Kaliforni, i cili u kthye në Shtetet e Bashkuara nga Afrika e Jugut më 22 nëntor dhe rezultoi pozitiv shtatë ditë më vonë.
Ndërsa në Bashkimin Evropian dhe zonën ekonomike evropiane janë konfirmuar 59 raste nga 11 shtete.
Të gjithë personat e infektuar kanë qenë pa simptoma ose me tregues të lehtë. Sipas qendrës evropiane për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, deri më sot, nuk ka patur asnjë rast të rëndë dhe asnjë vdekje nga varianti “Omicron”. /vizionplus