Në 8 nga 14 komunat shqiptare në të cilat u rivotua dje në rrethin e dytë, koalicioni LSDM-BDI arriti fitore me një diferencë të ngushtë, veçanërisht në komunat ku përballej me partitë shqiptare nga koalicioni Aleanca me BESË.
Ndërkaq kandidatët e koalicionit të dy partive shqiptare, Aleanca dhe Besa fituan katër komuna. Në një komunë fitoi kandidati i PDSH-së dhe në Bërvenicë fitoi kandidati i pavarur shqiptar, Enver Pajaziti.
Përveç komunës së Dollnenit, në 7 komunat e tjera LSDM dhe BDI dolën me kandidat të përbashkët, por diferenca ishte shumë e ngushtë.
Në Komunën e Çairit, kandidati i përbashkët i BDI-së dhe LSDM-së fitoi me 209 vota diferencë, ndërsa në rrethin e parë në listën për këshilltar LSDM kishte 4405 vota të cilat në garën për kryetar komune kanë shkuar në llogari të Visar Ganiut.
Dallimi i ngushtë ishte edhe në Tetovë ku po ashtu LSDM ka pasur një kontingjent të madh votash të cilat edhe kanë shkuar në llogari të Teuta Arifit.
Në këtë komunë BDI fitoi me një diferencë prej 1023 votave, ndërsa LSDM në listën për këshilltar fitoi 4123 vota. Nga ky koalicion Teuta Arifi fitoi 18136 vota, ndërsa Bilall Kasami i mbështetur edhe nga Aleanca për Shqiptarët fitoi 17113 vota.
Edhe më i ngushtë ka qenë dallimi në Strugë ku Ramiz Merko bashkë me 7.143 votat e LSDM arriti të shënojë diferencë vetëm për 788 vota. Dallime të ngjashme ka pasur edhe në komunat rurale, si në Tearcë ku LSDM kishte fituar 758 vota, ndërsa kandidati i BDI-së fitoi me 516 vota diferencë ndaj kandidatit të Lëvizjes BESA.
Në Komunën e Sarajit dallimi në rrethin e dytë të zgjedhjeve u ngushtua dukshëm për dallim nga rrethi i parë. Dy javë më parë në këtë komunë kandidati i BDI-së printe me 3381 vota, ndërsa në votimet e djeshme dallimi u ngushtua në 944 vota. Zbutje të dallimit mes kandidatit të koalicionit BDI-LSDM dhe koalicionit Aleanca me Besë pati edhe në Likovë, ku nga 3011 sa ishte në rrethin e parë, diferenca u ul në 2081 votë.
Ndihma e LSDM-së për kandidatin e BDI-së ngjashëm është dëshmuar edhe në Komunën e Dibrës, por edhe në këtë komunë dallimi mes Ruzhdi Latës dhe Arben Agollit ka ngelur megjithatë shumë i ulët, në vetëm 512 vota.
Ndihma e LSDM-së për kandidatët e BDI-së vërehet edhe më mirë nëse analizohen komunat rurale me popullsi të pastër shqiptare në të cilat kjo parti ka humbur. Një ndër komunat e tilla është ajo e Zhelinës ku kandidati i Lëvizjes BESA i mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët ka fituar 5443 vota, ndërsa ai i BDI-së 5099 vota. Në Komunën e Bogovinës, kandidati i Aleancës për Shqiptarët i mbështetur nga Lëvizja BESA ka fituar me një diferencë prej 1040 votave më shumë sesa ai i BDI-së.
Në Vrapçishtë, kandidati i koalicionit “Aleanca me Besë” ka fituar me një dallim prej 458 votave edhe përkundër 595 votave të LSDM-së që kanë shkuar në mbështetje të BDI-së. Koalicioni LSDM-BDI më së keqti ka pësuar në Gostivar ku lista e LSDM-së kishte fituar 4510 vota, por të njëjtat nuk i mjaftuan Nevzat Bejtës për të shënuar fitore.
Arben Taravari nga koalicioni “Aleanca me Besë” në Gostivar triumfoi me një dallim prej 965 votave. Në Komunën e Dollnetit dhe në atë të Bërvenicës kandidatët shqiptarë u përballën me kandidat nga partitë maqedonase dhe fituan falë mbështetjes që patën nga të gjithë votuesit shqiptar. Në komunën e Studeniçanit fitoi kandidati i PDSH-së përballë atij të koalicionit Aleanca me Besë. /SHENJA/