Për herë të parë, një skuadër kosovare do të jetë pjesë e elitës së futbollit europian për klube, me Trepçën ’89 që do të ketë një vend nderi në Champions League, edhe pse në fazën parakualifikuese.
Skuadra nga Mitrovica mori edhe sigurinë matematikore si kampionia e re e Superligës së Kosovës, e për këtë arsye, rrjeti britanik BBC i kushtoi vëmendje në transmetimet e tij.
“Trepça ’89 do të bëhet muajin e ardhshëm klubi i parë kosovar që do të konkurrojë në Europë, kur ata të luajnë në kualifikueset e Championsit”, shkruhet në median prestigjioze britanike, BBC. Skuadra, nga shteti më i ri shqipfolës i Ballkanit, do të impenjohet në kompeticionin kontinental më 27 ose 28 qershor.
Trepça 89 është një prej 4 klubeve nga Superliga e Kosovës, që ka arritur të kalojë “sitën” e vështirë të kritereve të licencimit nga UEFA. Kosova hyri në FIFA dhe UEFA në vitin 2016, por as kampionëve të Ferronikelit, dhe as fituesve të Kupës, Prishtinës, nuk iu garantua pjesëmarrja në Europë vitin e kaluar.
Tre prej ekipeve që mund të përballen me Trepçën në Champions janë kampionët e Uellsit, The New Saints, ekipi Linfield nga Irlanda e Veriut, apo modestët e Vikingur, që fituan titullin në Ishujt Faroe. Kosovës pritet t’i shtohen dy klube edhe në Europa League, fituesi i Kupës së Kosovës dhe vendi i dytë në kampionat.