Ballina Sport Futboll Bayerni kërkon të reagojë pas humbjes së thellë në Bundesligë

Bayerni kërkon të reagojë pas humbjes së thellë në Bundesligë

Pasi e humbi derbin e Bundesligës ndaj Bayer Leverkusenit, kampioni gjerman, Bayern Muenchen zhvillon tjetër ndeshje të rëndësishme. Të mërkurën mbrëma, prej orës 21:00, në stadiumin “Olimpico” në Romë, kampioni gjerman përballet me Lazion. Është kjo ndeshja e parë e një të tetës së finales të Ligës së Kampionëve. Ndeshja e kthimit është më 5 mars në Munih.

Të shtunën, Bayerni pësoi 3:0 në Leverkusen dhe ka mbetur pesë pikë prapa Bayernit në garën për titull në Gjermani. Pos në Bundesligë, Bayerni si gjithnjë ka pretendime edhe në Champions. Dhe të mërkurën mbrëma në Romë e synon hapin e parë drejt çerekfinales.

Humbja në Leverkusen nuk është përballuar lehtë te Bayerni, por bavarezët janë të vendosur që në Champions të shfaqin forcën e vërtetë.

Bayerni e kishte fituar Grupin A të Ligës së Kampionëve. Kishte pesë fitore e një barazim. Kishte barazuar pa gola me Copenhagenin, ndërsa kishte nga dy fitore me Manchester Unitedin dhe Galatasarayn dhe një me ekipin danez.

“Nuk e kemi kapërcyer ende humbjen me Leverkusenin pasi ishte ndeshje e rëndësishme. Kemi folur për atë ndeshje, kemi analizuar dhe e kemi të qartë. E mira është që kemi lojë menjëherë. Duam të kalojmë në raundin tjetër. Duam të bëjmë gjërat që nuk i kemi bërë si duhet në Leverkusen”, ka thënë kapiteni i Bayernit, portieri Manuel Neuer. Ai ka folur edhe për Lazion.

“Skuadrat italiane gjithnjë mund të mbrohen mirë. Qendra do të jetë shumë kompakte. Ne e dimë që kemi pasur telashe me skuadra që supozohet që janë më të vogla. Por rivalët e meritojnë të jenë në fazën nokaut. Përfundimisht nuk do ta nënvlerësojmë Lazion. Duhet të shikojmë veten, të paraqitemi sa më mirë dhe të shijojmë suksesin si ekip”, ka shtuar Neuer.

Lazio avancoi në fazën nokaut nga pozita e dytë në Grupin E. I mori dhjetë pikë në grupin që u fitua nga Atletico Madridi. Prapa Lazios mbetën Feyenoordi dhe Celticu.

Lazio në fundjavë fitoi 3:1 ndaj Cagliarit. Po me 3:1 kishte pësuar nga Atalanta në ndeshjen e parë në muajin shkurt. Në Serie A, Lazio është në pozitën e tetë.

Te Lazio do të luajnë për fitore, ndonëse pranojnë forcën e Bayernit.

“Do të jetë ndeshje shumë e vështirë, por duhet t’i qasemi duke e ditur se fitorja nuk është e pamundur. Bayerni është favorit. Është skuadër që gjithnjë paraqitet mirë në Ligën e Kampionëve. Duhet të luajmë me besim dhe të ruajmë qetësinë. Kur të kemi vështirësi, duhet të vuajmë të gjithë së bashku”, ka thënë trajneri i Lazios, Maurizio Sarri. Ai ka theksuar se lojtarët e Lazios nuk duhet të harrojnë që luajnë edhe për të pasur kënaqësi në fushë.

Kapiteni i Lazios, Ciro Immobile ka thënë se grupi i lojtarëve është i mobilizuar dhe se të gjithë do të japin më të mirën.

“Nuk i qasemi ndeshjes me shqetësim, por me entuziazëm”, ka thënë Immobile.

Të mërkurën prej orës 21:00 është edhe një tjetër ndeshje e një të tetës së finales në Champions. Gjiganti francez Paris Saint-Germain e pret ekipin spanjoll Real Sociedad. Parisienët vlerësohen favoritë.

PSG-ja udhëheq bindshëm në kampionatin francez, ndërsa Sociedadi është i shtati në kampionatin spanjoll.

Parisi ishte i dyti në grupin më të fortë të Championsit. Mbeti prapa Borussia Dortmundit, ndërsa la pas Milanin dhe Newcastle Unitedin. Sociedadi kishte fituar grupin, ku ishin Interi, Benfica e Salzburgu.

Faza nokaut e Championsit nisi të martën mbrëma me dy ndeshjet e para të një të tetës së finales.

Exit mobile version