Kampioni gjerman, Bayern Munich ka fituar ndeshjen e tretë me radhë në Bundesliga, këtë herë duke triumfuar ndaj Leipzig me rezultat 4-1 si mysafir.
Robert Lewandowski e hapi sfidën pas vetëm 12 minutave, duke realizuar nëpërmjet penalltisë, gol me të cilin u mbyll edhe pjesa e parë.
Në pjesën e dytë ‘bavarezët’ e nisën furishëm duke realizuar gol në minutën e 47-të dhe 54-të, me anë të Musialas dhe Sanes, gjersa pas katër minutave vendasin e ngushtuan epërsinë në 3-1 pasi Kondrad Laimer shënoi në minutën e 58-të.
Ndeshjen e vulosi sulmuesi Choupo-Moting i cili realizoi golin e katërt për Bayernin, për t’i dhënë epilogun final të takimit me rezultat 4-1.
Gjersa Bayerni e fitoi këtë ndeshje, Lewandowski është gjithnjë e më afër një rekordi të legjendës, Gerd Muller.
Polaku tashmë ka shënuar në 14 ndeshje radhazi në Bundesliga, duke shënuar 23 gola në total në këtë proces.
Rekordin për më së shumti ndeshje radhazi me gola të shënuara në histori të Bundesligas e mban legjenda i cili ndërroi jetë pak javë më parë, Gerd Muller me 16 ndeshje radhazi.
Lewandowskit i duhen edhe dy ndeshje të radhës për të shënuar së paku një gol në secilën prej tyre, për ta barazuar rekordin e legjendës.