Bayerni 5 gola Dusseldorfit

Bayern Munich nuk ka treguar mëshirë ndaj Fortuna Dusseldorf.

Kampionët në fuqi dhe liderët e Bundesliga, Bayern Munich, kanë mposhtur Fortuna Dusseldorf me rezultatin 5:0, shkruan lajmi.net.

Rezultati i këtij takimi u zhbllokua qysh pas 15 minutave, kur goditja e Benjamin Pavard u devijua nga Mathias Jorgensen, për të përfunduar në rrjetë.

Pavard doli në skenë përsëri në minutën e 29’, duke dyfishuar epërsinë e bavarezëve, për të vërtetuar se sot ishte në disponim të mirë për lojë.

Pas Pavard, koha ishte që Robert Lewandowski të merrte spektaklin në dorë. Polaku theu mallkimin e tij ndaj Dusseldorf, duke shënuar në minutën e 43’. Kurse, për 4:0 Lewa shënoi në minutën e 50’.

Rezultatin final e vendosi mbrojtësi i krahut të majtë, Alphonse Davies, duke shënuar dy minuta pas Lewandowskit.

Me këtë fitore, Bayern shkëputet në pozitën e parë, me 67 pikë, 10 më shumë sesa Dortmund.

Fortuna mbetet në pozitën e 16-të, me 27 pikë, duke rrezikuar seriozisht rënien nga Bundesliga.