Batalioni i vdekjes – Ikrime ibn Ebi Xhehl

Në betejën e Jermukut, kur një çerek milioni ushtarë romakë, gati sa nuk po shkatërronin ushtrinë myslimane, pasi që i kishin rrethuar në të katër anët; Ikrime ibn Ebi Xhehl nxori shpatën, theu këllëfin e saj dhe me zë të lartë i thirri myslimanët: Kush më jep besën për të vdekur!
Përpara tij dolën 400 martirë! Për të formuar atë, që në histori njihet si: Batalioni islam i vdekjes!
Halid ibnul-Velid u përpoq ta ndalte, që të mos sakrifikonte jetën e tij.
Ikrime ia ktheu duke i thënë: Largohu nga unë, o Halid!
Sepse, ti ke pasur fatin më përpara me të Dërguarin e Allahut, ndërsa unë dhe babai im, kemi qenë prej njerëzve më të ashpër ndaj të Dërguarit të Allahut!
Prandaj, më lër, që të shlyej atë që kam bërë më përpara!
E kam luftuar të Dërguarin e Allahut në shumë beteja, e ndërsa sot të arratisëm prej romakëve!?
Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë!
Batalioni islam i vdekjes u nis dhe romakët mbetën të shtangur prej luanëve të plagosur, që vërsuleshin mbi ta, duke goditur kokat e tyre.
Martirët vraponin njëri pas tjetrit drejt vdekjes fisnike, duke rënë shehida njëri pas tjetrit dhe duke shpartalluar ushtrinë romake…

Nga: Hoxhë Lavdrim Hamja