Shqipëria do të mësojë ditën e sotme fatin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në mbledhjen e Këshillit të Punëve të Përgjithshme, pjesë e Bashkimit Evropian do të diskutohet mbi mundësinë e zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Evropian dhe mbi kërkesën e Komisionit Evropian për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Zëdhënësi i Këshillit Evropian, tha për Ora News se çështja e zgjerimit diskutohet këtë të martë nga Këshilli i Punëve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, ndërsa përfundimet e kësaj mbledhjeje mund të mbështeten ose jo në mbledhjen e liderëve në datën 28 dhe 29 qershor.
Pra, çështja e negociatave do të diskutohet vetëm ditën e sotme dhe do t’i paraqitet për miratim Këshillit më 28 qershor.
Në mbledhjen e Këshillit të datës 28-29 qershor do të diskutohet mbi tri tema kryesore të cilat janë emigracioni, politikat e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe çështjet ekonomike dhe financiare.
Gjithashtu liderët e BE do të adresojnë edhe çështjen e Brexit dhe Eurozonës.