Hamdan Ballal, bashkëregjisori i dokumentarit fitues të çmimit Oscar No Other Land, është arrestuar nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, pasi u sulmua dhe u plagos nga kolonët izraelitë, ka bërë të ditur bashkëregjisori i tij, Yuval Abraham, në platformën X.
“Një grup kolonësh sapo kanë sulmuar Hamdan Ballal-in, bashkëregjisorin e filmit tonë No Other Land. E kanë rrahur dhe ai ka plagë në kokë dhe bark, duke gjakosur,” tha Abraham në një postim.
Ai shtoi se ushtarët izraelitë e ndaluan ambulancën që Ballal kishte thirrur për ndihmë dhe e morën atë me forcë. “Që atëherë nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij,” përfundoi Abraham.
No Other Land, një bashkëpunim mes kineastëve izraelitë dhe palestinezë, ndjek aktivistin Basel Adra teksa rrezikon arrestimin dhe dhunën për të dokumentuar shkatërrimin e qytetit të tij të lindjes, Masafer Yatta, nga ushtria izraelite.