Yuval Abraham, një izraelit që bashkëdrejtoi dokumentarin fitues të Oscar-it “No Other Land” me palestinezin Hamdan Ballal, ka kritikuar Akademinë Amerikane të Arteve dhe Shkencave të Filmit për mungesën e një deklarate mbështetëse ndaj Ballal, pas sulmit ndaj tij nga kolonët dhe rrahjes nga ushtarët izraelitë.
Sipas Abrahamit, disa anëtarë të Akademisë kishin mbështetur idenë e një deklarate dënuese për sulmet, por organizata në fund nuk reagoi, duke pretenduar se incidenti mund të mos kishte lidhje të drejtpërdrejtë me filmin.
“Kjo, mesa duket, i dha Akademisë një justifikim për të qëndruar e heshtur kur një kineast që ata e nderuan, duke jetuar nën okupimin izraelit, kishte më shumë nevojë për ta,” tha Abrahami. Ai theksoi se Ballal ka treguar se ushtarët talleshin me Oscar-in e tij ndërsa e sulmonin.
“Nuk është vonë për të ndryshuar këtë qëndrim,” shtoi Abraham. “Edhe tani, një deklaratë që dënon sulmin ndaj Hamdanit dhe komunitetit të Masafer Yatta-s do të dërgonte një mesazh domethënës dhe do të shërbente si një paralajmërim për të ardhmen.”
Masafer Yatta, vendlindja e Ballalit në Bregun Perëndimor të pushtuar, është shpesh në shënjestër të sulmeve të kolonëve izraelitë dhe shembjeve të shtëpive nga autoritetet izraelite, një realitet që dokumentohet në filmin “No Other Land.” /mesazhi