Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi sot, se në ditët e ardhshme do të ketë të reja të tjera që zbulojnë përfshirjen e qeveritarëve shqiptare në mbështetje të krimit.
Në një deklarim për media, Basha tha se tashmë Edi Rama nuk është më kryeministër, por “avokat i Saimir Tahirit dhe krimit”.
“Edi Rama nuk është më kryeministër, tani është avokati mbrojtës i Tahirit dhe i Habilajve.
Ai merret vetëm me mbrojtjen e krimit dhe asgjë tjetër. Studio më studio, podium më podium duke bërë avokatin mbrojtës të Tahirit, se kështu mbron veten e tij.
Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë në panik dhe dëshpërim sepse po ndeshen me të vërtetën dhe se kanë humbur çdo kontroll ndaj të vërtetës. Ky është vetëm fillimi.
Në ditët e ardhshme do të ketë të reja të tjera që zbulojnë përfshirjen e qeveritarëve shqiptarë dhe të Ramës në mbështetje dhe mbrojtje të krimit dhe trafikantëve të drogës.
Dhe bota tashmë e ka kuptuar dhe nuk mund të lejojë më një shtet të kontrolluar nga krimi në zemër të Evropës”, ka thënë Basha.
Ai tha se Rama duhet të çonte për hetim punonjësit e ministrisë së Brendshme, të cilët arrestuan Dritan Zaganin, i cili foli për lidhjet e ministrit të Brendshëm në atë kohë me Habilajt.
“Dritan Zagani ngriti zërin dhe hetoi lidhjet kriminale Tahiri-Habilaj. Punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Ministrisë që arrestuan Zaganin duhet të hetohen për montim akuzash dhe konspiracion në mbështetje të krimit.
Këtë duhet të bënte Edi Rama. Të çonte këta punonjës në prokurori”, tha kreu i PD-së./Mesazhi/