Kryetari i Partia Demokratike deklaron se po ndjek me shqetësim aktin e ngritjes së mjrit ndarës në urën e Ibrit në Mitrovicë me linjë të pretenduar etnike mes shqiptarëve dhe serbëve, thotë opozita.
“Muri po ngrihet në thyerje të plotë të ligjeve të Republikës së Kosovës dhe në dhunim të Marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Nga informacionet e deritanishme duket se muri po ndërtohet i mbështetur dhe projektuar nga strukturat paralele serbe në veri të Mitrovicës”, thotë PD.
Partia Demokratike e konsideron akt provokues dhe destabilizues për popullatën e Mitrovicës, marrëdhëniet dhe dialogun mes Serbisë dhe Kosovës sikundër edhe ndaj klimës së paqes dhe stabilitetit në Ballkan.
“Një akt i tillë shkon në të kundërt të aspiratave të shprehura të vendeve të rajonit dhe përfaqësuesve të tyre për një klimë bashkëpunimi në përspektivën e integrimit europian të Ballkanit”, thuhet në reagimin e Bashës.
Partia Demokratike ju bën thirrje institucioneve të Kosovës që në bashkërendim të ngushtë me partnerët euroatlantikë të ndërmarrin çdo hap të nevojshëm në mënyrë të matur, por të vendosur për të kthyer këtë situatë brenda parametrave të ligjit dhe në respekt të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Thirrje i bëhet edhe qeverisë shqiptare që sipas opozitës “të thyejë heshtjen dhe të ndërmarrë çdo hap proteste dhe sensibilizimi ndërkombëtar ndaj një akti të tillë që rrezikon të provokojë klimën e bashkëpunimit dhe paqes në Ballkan”.