Sot do të mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, i thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha.
Basha do të mbledhë sot në orën 11:00 në Pallatin e Kongreseve delegatët e PD-së, ndërsa pritet që ata të votojnë ndryshime statusore! Kuvendi i sotëm ka si moto se PD-ja zgjedh të ardhmen dhe Shqipërinë.
Partia Demokratike shkarkoi nga funksionet në Këshill Kombëtar dhe në kryesi ata titullarë të saj, që morën pjesë në veprimtaritë e ish kryetarit Sali Berisha, duke i cilësuar si akte në kundërshtim me statutin dhe me vet programin e partisë. Ndërkohë, ditën e djeshme, Basha ka emëruar 12 kryetarët rinj të degëve në PD, si dhe u ngrit edhe Komisioni i Përhershëm Statutor. Anëtarë të Komisionit Statutor janë Enklejd Alibeaj, Ervin Salianji, Kreshnik Çollaku, Jonila Godole, Taulant Zeneli si dhe Jorida Tabaku.
Partia Demokratike u shpërndau të premten anëtarëve të Kuvendit Kombëtar një njoftim, se ata mblidhen me përgjegjësinë historike për të qenë të bashkuar kundër regjimit të Edi Ramës.
Kuvendi i sotëm i Partisë Demokratike mbahet një javë pasi ish-kryetari Sali Berisha me ndjekësit mbajtën një tjetër Kuvend, ku deklaruan se kanë shkarkuar kryetarin aktual Lulzim Basha dhe zëvendësit e tij.
Kjo e shtunë pritet të jetë vendimtare për dy kampet kundërshtare brenda Partisë Demokratike.
Kujtojmë se sot në të gjitha degët e PD në rrethe do të mbahet referendumi për shkarkimin e Bashës, vendim i dalë nga Kuvendi i Berishës. Megjithatë Basha ka deklaruar se nuk njeh asnjë vendim të dalë nga ky Kuvend.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u rizgjodh me shumicë dërrmuese votash nga Kuvendi Kombëtar, pak kohë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit, edhe pse opozita humbi për herë të tretë.
Tashmë PD-ja është partia e vetme në vend me dy statute, njëri i dorëzuar nga Basha në Gjykatën e Tiranës disa ditë më parë dhe tjetri i dorëzuar nga Grupi i Rithemelimit të PD-së.
Beteja politike mes Berishës dhe Bashës ndodhi kur ky i fundit përjashtoi nga Grupi Parlamentar i PD-së ish kreun e PD-së, pasi ai u shpall ‘non grata’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit./TCH