Bariu dhe tufa

Ibrahim Xhepmetaj

Bariu është personi i cili di të drejtojë dhe merr përsipër të kujdeset për atë që ka në përgjegjësi. Në kuptimin e parë, bariu ruan bagëtitë, më së shumti, na shkon mendja tek barinjtë që kujdesen për delet (bagëtia më e përhapur), të cilat janë të varura nga përkujdesja dhe mbrotja e një bariu, për shkak të paaftësisë së tyre për t’u orientuar dhe faktorizuar në tufë, pa menaxhimin dhe ndërhyrjen e një eprori të aftë dhe superior.

Tufa simbolizon një trup të unifikuar kafshësh (apo gjësë së gjallë) zakonisht të të njëjtit lloj ose të ngjashme, që kanë funksion jetësor (qëllim) dhe i shërbejnë jetës e mbarëvajtjes së saj, pra janë qenie të rëndësishme (me funksion) sidomos dhe doemos kur personifikohen me tufën, përndryshe individualiasht e humbet peshën dhe rëndësinë nëse vlerësohet si njësi jashtë saj, sepse ashtu llogaritet thjesht një numër. Kjo s’do të thotë që brenda tufës s’ka element që mbizotërojnë, përkundrazi, por brenda kufizimit të të qenit specie e llojit (dele), jo më kot bariu delegon disa kompentenca të tij në tufë (dashi i këmborës apo qeni) që le të themi kanë rol menaxhues (shpërndarje e përgjegjësisë). Sigurisht bie dhe elementi i sigurisë që ata e kanë aq të domosdoshëm, sepse veçanërisht delet janë të pafuqishme për të përballuar kanosjet e jashtme, që në çdo moment ju cënon ekzistencën. Vetëm me vullnetin e bariut për t’i ruajtur dhe mbrojtur dhe bindjen e kushtëzuar me marrëdhënie reciproke mes tyre, krijon harmoni dhe paqe tek masa, e mban larg ujkun – armikun e hapur ekzistencial, i cili shpreson që delet të ndahen dhe t’i gjejë në mjegull…Por kur vendos pronari edhe bariu është i pafuqishëm për të mos i dorëzuar “delet”. Madje bariu mund t’i “therë” me dorën e vet, për hir të punës. Mirëpo në këtë rast, delet i dorzëzohen fatit të tehut të kasapit, nuk futen në gojë të ujkut. Ujku i njeriut personifikon shejtanin apo djallin, prej njerëzve apo xhindëve, armiku I tij I qarte dhe I perbetuar.

Kësisoj përgjegjësia shpërndahet mes bariut dhe deleve të cilat me vullnet të lirë, por të kushtëzuar, zgjedhin për të respektuar ose jo bariun e tyre, t’i binden, të pasojnë urdhërat në mos veprimet e tij.

Të gjithë njerëzit janë përgjegjës, dikush më shumë dikush më pak.Të gjithë jemi barinj në tufën tonë do të thuhej ndryshe. Bagëtia le të themi është “masa” e imponuar nga Pronari (Zoti i madh), që ngarkon, autorizon individët për të jetuar me të dhe për t’u marrë me të, për të siguaruar jetesën dhe vazhdimësinë e saj, si rregull i pasfidueshëm natyror dhe social.

Delet kanë nevojë për bari, aq sa bariu ka nevojë për dele. Nga delet lind natyrshëm nevoja për të pasur bari siç dhe bariu vetvetiu kërkon me përgjegshmëri për të administruar delet e tij në tufë.

Delja është krijesë e rëndësishme, jetike, produktive, por jo e pavarur nga lidershipi i bariut dhe kullosat, rrethanat.

Bariu simbolizon njerëzit e përzgjedhur për të qenë vendimarrës dhe parí. Zoti thotë qartaz në Kuran: ” Ne i kemi ngritur disa mbi disa të tjerë.” Bariu është i parë për bagëtinë dhe tufën e tij nga ai varet e tashmja dhe e ardhmja e mirëq ënies dhe prosperitetit të kafshëve në tufë.

Për ta konceptuar më mirë, le të kujtojmë hadithin e profetit Muhamed (a.s): “Secili nga ju është barí dhe është përgjegjës për tufën e tij ..Lideri i një populli është guaridan (siguron rendin) dhe përgjegjës për subjektet e tij,(amanetet) burri është rojtar dhe përgjegjës për familjen e tij. Gruaja është rojtare për shtëpinë dhe fëmijët e bashkëshortit dhe përgjegjëse për këto. Shërbëtori i dikujt është përgjegjës për pasurinë e tij dhe s’ka dyshim.. gjithsecili është bari për tufën e tij.”[1]

Bariu është rojtar, jo pronar, pronari i vërtetë është bariu i tufës dhe i bariut, (Krijuesi i tyre) sepse rojtari ka përgjegjësi (do të përgjigjet), pra do merret në llogari për detyrën e vrojtimit, mbikqyrjes, e jo të garantimit të jetës dhe shëndetit të tyre në thelb, por është vetëm përgjegjës për të siguruar rendin për të rregulluar mjedisin, habitatin dhe mundësinë e shfrytëzimit të kapaciteteve të tyre për t’u ushqyer e pastaj si pasojë për të dhënë mbrapsht -produktin. Kafsha udhëhiqet nga instiktet e saja, në mungesë të ndikimit dhe imponimit të forcës dhe autoritetit nga jashtë. Për shembull: delja më tepër bindet nga frika -kërcënimi që ndjen nga bariu, sepse të vetme ato ndjehen të pasigurta, sepse e kanë më frikë ujkun, në të njëjtën kohë kërkojnë mbështetje të kushtëzuar nga bariu që do kujdeset t’i doje dhe shërbejë atyre, në formën e gadishmërisë dhe përballimit të situatave që kërkojnë zgjidhje dhe lipset aftësi dhe mjete të cilat bariu i zotëron sikurse: zgjuarsia, arma e gjahut, shkopi, trimëria etj, cilësi këto ngadhënjyese të instikteve, jo se bariu nuk ndikohet nga instiktet e tij kafshërore si:epshi, inati, egoja etj.

Delet në përgjithësi tentojnë ta “flenë mendjen” dhe lidhen me të autorizuarin e tyre nëpërmjet besimit të plotë, bindjes se bariu do t’i udhëheqë në çdo situatë dhe mbrojë nga çdo rrezik dhe kërcënim. Delet janë masa e gjerë e popullit, në kuptimin simbolik. Delet nuk kanë mendim të vetin, personal, (relativisht) as aftësi për të prodhuar ide origjinale të tyren për të influencuar zgjedhjet e tyre. Elementi që lidh nevojën e deleve të tufës me besimin tek autoriteti më i lartë -bariu është bindja, sepse pa bindje, sidomos në mungesë të aftësisë për t’u vetëudhëhequr dhe pamundësisë për të ekzistuar të gjithë si lidera në tufë, nuk ka hierarki dhe për pasojë as qëndrueshmëri dhe vazhdimësi të strukturës bashkëekzistuese të tyre. Shërbëtorët dhe ushtarët janë po aq të rëndësishëm për mbretin sa mbreti për ta. Është pikërisht tensioni i masës që ekuilibron dhe mban lidhjen ndërmjet tyre.

Për ta kuptuar më mirë kujtojmë thënien e famshme të Kalifit të dytë të civilizimit Islam Omerit (r.a): “S’ka Islam -fe, sistem jetese hyjnor- pa xhemat (bashkësi -koekzistencë, s’ka bashkësi pa të parë -lider, bari, udhëheqë, s’ka të parë pa bindje – në mungesë të saj, s’ka autoritet për pasojë bie dhe pushteti që buron prej saj.

Megjithatë në këtë hadith edhe pse në dukje theksohet roli i një individi, nuk nënkuptohet pacënueshmëria e tij, por domosdoshmëria e respektimit të autoritetit që buron prej atij), sepse duke funksionuar si tërësi bashkësia, në rastin tonë bashkëjetesa prijës-pasues, bari-tufë, nuk ka kuptim as funksion as fuqi dhe as mundësi për të prodhuar ndryshime, prosperitet dhe paqe. Islam në kuptimin gjihësor d.m.th. Paqe*.

Pra dikush më shumë dikush më pak është bari, dikush me një dele dikush me kopé e tufa të mëdha, secili mbart mbi supe rëndesën që i ka vënë vetes, apo ja kanë vënë/dhënë detyrë për ta mbajtur. Për të na thënë se potencialisht të gjithë jemi lidera, por janë aftësitë e lindura dhe rrethanat që na përcaktojnë hierarkinë në masë -të jemi masë e thjeshtë apo në krye të saj. Argument për këtë është ajeti nga Kur’ani Famëlartë: “Aty erdhi një njeri, duke nxituar prej skajit të qytetit, e tha: “O Musa, paria është mbledhur e po bisedon për të të vrarë, prandaj ik, sepse po ta jap një këshillë të sinqertë”[2]

Përderisa profetët ishin njerëz dhe barinjt ë janë njerëzit, edhe profetët (si njerëz) ishin të gjithë barinj, sipas hadithit tjetër tek Buhariu, i bie që simbolikisht të gjithë janë të ngarkuar me emanetin e bariut relativisht, secilit i kërkohet të luajë rolin e bariut të mirë -(i dërguar, i përzgjedhur- i përgaditur- aq sa ka takat dhe mundësi.

Për të qenë bari dhe burrë (grua e) i mirë, duhet të dish përse punon dhe për ta mësuar mirë punën s’ka rrugë veçse të merresh me atë punë (me delet). “Kushdo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë bsimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira që ka bërë.” -Kur’an.

Si përfundim puna e bariut është amaneti i tij, që ja ka ngarkuar (deleguar) Pronari, i Cili kërkon që bariu ta vërtetojë besimin e Tij sikurse deleve ju kërkohet të ndjekin dhe t’i nënshtrohen vullnetit të Pronarit, t’i binden dhe të fitojnë pëlqimin e Tij.

Pra barinjtë më të mirë (profetët) që të gjithë kishin një mision të përbashkët “La ilahe ilaAllah”, kjo fjalë nënkupton se tufa dhe bariu janë të humbur dhe s’kanë asnjë kuptim dhe rol, mundësi veprimi,* pa Pronarin e tyre. Pronari është Zoti i Madh, Ai që zotëron dhe posedon gjithçka, delet dhe barinjtë, ujqërit dhe kullotat.

Barinjtë më të mirë kanë mbetur si shembuj, modele për t’u ndjekur dhe ne mundet të bëhemi barinj të suksesshëm dhe të përfitojmë statusin e tyre.

Niveli më i ulët është të shpëtosh veten – delja e bindur vetëm ndaj pronarit të saj. Puna e kërkuar është ajo e një bariu më i thjeshtë, që ka qoftë edhe një dele, pra përkujdesja ndaj asaj apo gjësë së besuar dhe që ke në kujdestari: prindi ndaj fëmijës, burri ndaj gruas etj.

Allahu thotë në Kur’an: “O ju që keni besuar, shpëtoni veten dhe familjen tuaj nga zjarri i xhehenemit, lëndë djegëse e së cilës janë njetëzit dhe gurët.”[3]

Sa më i madh amaneti, aq më e madhe edhe përgjegjësia, sa më e gjerë tufa, aq më e vështirë dhe llogaria.

Për të qenë barí i suksessëm na nevojitet së pari dituria dhe pastaj mirësia: sinqeriteti, dashuria dhe përkushtimi -përkujdesje dhe durim- ndaj dhuratave tona dhe të besuarave- amaneteve.

Për të qenë bari i suksesshëm dhe “dele” e shpëtuar kërkohet besim dhe vepër -bindje, ndërsa më të mirët janë edhe “dele” – të Zotit edhe barinj të njerëzve” , sipas edhe metaforës biblike Jezusi, Isai a.s ishte Bari -shpëtimtar- dhe udhërrëfyes për popullin e vet-delet, ndaj edhe populli final i Zotit, umeti i Muhamedit a.s, e koncepton veten sipas përcaktimit hynor, rolit dhe misionit profetik që ia ngarkoi Zoti pas vdekjes së krijesës më të dashur të Tij a.s, si mëkëmbës të Zotit në Tokë dhe Umeti më i mirë, mir ëpo ky privilegj mbart përgjegjlësi dhe ka fatura po aq të shtrenjta, ndaj këta njerëz (të devotshmit) meritojnë të futen gradat më të larta të shpërblimit në ahiret: “Kushdo që i bindet Allahut (Pronarit) dhe të Dërguarit, – bariut më të mirë si udhëheqës shëmbëlltyrë praktike në jetën e Tij do jetë i lumtur dhe do ketë sukses- do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, (barinjtë e tjerë të mirë dhe të suksesshëm) me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! – prej barinjve të mirë dhe deleve-robërve të zgjuar-a. Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!”[4]

Nga ky ajet kuptojmë se roli i bariut është të jetë vigjilent ndërsa mban delet zgjuar dhe t’i zgjojë ato (nga gafleti-shkujdesja) kur flenë. *Gjumi i deleve rrezikon të rehatojë dhe bariun. Gjumi është vdekje, ndërsa vdekja reale është zgjim për delet. Kush zgjohet nga vdekja e gjumit i ka shpëtuar dëmit të ujkut -armikut të vërtetë, që sulmon në pavëmendje -mjegullnajë dhe ndarje -përçarje -izolim, nga tufa – bashkësia, pasi forca dhe siguria buron pikërisht nga të qenit bashkë, edhe duke qenë relativisht të ndryshëm, sepse në fund të fundit bariun delen, ujkun dhe fushën i bashkon që të gjitha qëllimi dhe Pronari I tyre –Zoti i Plotfuqishëm.

Autor: Ibrahim Xhepmetaj.

[1] – Buhariu.

[2] – Sure Kasas: 20.

[3] – Sure Tahrim: 6.

[4] – Sure Nisa: 69.