Barcelona mposht Osasunën, mbetet lider i La Ligas

Barcelona ka fituar thellë përballë Osasunas në ndeshjen e mbetur të xhiros së 27-të të elitës së futbollit spanjoll.

Barça e trajnerit Hansi Flick e mposhti Osasunan me rezultatin 3:0 të enjten mbrëma dhe është shkëputur në tabelë.

Tani Barcelona ka 63 pikë në vendin e parë, tri më shumë se Real Madridi i vendit të dytë. Osasuna mbetet me 33 pikë në pozitën e 14-të.

Ferran Torres e realizoi golin për 1:0 në minutën e 11-të.

Dani Olmo realizoi më pas nga penalltia në minutën e 21-të.

Tentimin e parë të tij e priti portieri Sergio Herrera. Por, pas rishikimit të situatës në VAR, penalltia u përsërit pasi disa lojtarë kishin hyrë në zonë para se të ekzekutohej penalltia. Në tentimin e dytë, mesfushori spanjoll ishte i pagabueshëm.

Golin e tretë dhe të fundit në këtë ndeshje e realizoi sulmuesi polak, Robert Lewandowski.

Për 36-vjeçarin ishte goli i 36-të në edicionin aktual, në ndeshjen e 41-të. Ai i ka edhe tri asistime.

Kjo ndeshje ishte dashur të luhej më herët gjatë këtij muaji, por u shty për shkak të vdekjes së mjekut të skuadrës nga Katalunja, Carles Minarro Garcia.