Humbja xhiron e shkuar nga Girona ka bërë që Barcelona të bjerë në pozitën e katërt në tabelë dhe të ketë shtatë pikë më pak se vendi i parë. Te Barcelona janë të detyruar ta mposhtin Valencian në udhëtim për të mbajtur hapin me kreun e La Ligas, Gironan. Dueli mes Valencias dhe Barcelonës luhet të shtunën prej orës 21:00 dhe i takon xhiros së 17-të të kampionatit spanjoll.
Në fakt, Barcelona në këtë ndeshje futet pas një serie prej dy humbjeve, pasi në mesjavë u mposht nga Antwerpi në xhiron e fundit të Ligës së Kampionëve. Edhe Valencia ka kohë që nuk ka shënuar fitore në kampionat pasi në katër ndeshjet e fundit ka tri humbje e një barazim.
Real Madridi që është i dyti në tabelë me dy pikë më pak se Girona, të dielën mbrëma përballet me Villarrealin që është jashtë topdhjetëshes.
Udhëtim të vështirë këtë vikend do të ketë edhe skuadra e Atletico Madridit. Ekipi i trajnerit Diego Simeone do të jetë mysafir i Athletic Bilbaos në ndeshjen që luhet të shtunën prej orës 16:15. Atletico Madridi është i treti më 34 pikë, pesë më shumë se Bilbao që renditet në pozitën e pestë.
Ndërkohë kjo xhiro e kampionatit spanjoll mbyllet të hënën, me përballjen ndërmjet Gironas dhe Alavesit. Girona është favorite dhe pritet të mbetet në krye të tabelës edhe pas kësaj xhiroje. Në 16 ndeshje të luajtura deri më tani, Girona ka vetëm një humbje, ndërsa ka regjistruar edhe dy barazime karshi 13 fitoreve. Po vlerësohet si befasia më e madhe e këtij edicioni në Spanjë.