Barcelona ka luajtur baras me rezultat 2-2 në udhëtim ndaj Celta Vigos në kuadër të javës së 14-të në elitën e futbollit spanjoll.
Vendasit patën një mundësi të artë shënimi në minutën e katërt, por Iago Aspas u tregua i pasaktë përballë portës vetëm pak metra larg Inaki Penas.
Barcelona kaloi në epërsi në minutën e 15-të përmes Raphinhas i cili realizoi për 1-0 pas asistimit të Jules Kounde.
Mysafirët shënuan edhe një gol tjetër në pjesën e dytë, ku autor i saj ishte Robert Lewandowski që shfrytëzoi një gabim të mbrojtësve për rezultatin 2-0.
Celta Vigo pati një rast shumë të mirë shënimi në minutën e 64-të me Alfonso Gonzalez, por ai dështoi të shënojë përballë portës.
Vetëm dy minuta më vonë, Hugo Gonzalez (66’) shpërdoroi një tjetër rast ballë për ballë me portierin duke mos arritur ta ngushtojë rezultatin.
Në minutën e 81-të Barcelona mbeti me një lojtar më pak në fushë kur Marc Casado mori edhe kartonin e dytë të verdhë.
Këtë e shfrytëzuan menjëherë vendasit që realizuan për 2-1 në minutën e 82-të me Alfonso Gonzalez pas një gabimi të Jules Kounde.
Vetëm pak minuta pas këtij goli më saktësisht në minutën e 85-të, ishte Hugo Gonzalez ai i cili realizoi për rezultatin 2-2 që në fund ishte epilogu përfundimtar i takimit.
Pas javës së 14-të Barcelona vazhdon si lidere e tabelës me 34 pikë të grumbulluara, shtatë më shumë se Real Madridi që ka 27 sosh dhe nesër (e diel) luan ndaj Leganes në udhëtim dhe ka një ndeshje më pak të zhvilluar.