Barcelona e Parisi synojnë të konfirmojnë vendin në gjysmëfinale

Pasi e siguroi titullin e kampionit në Francë, Parisi ka pushuar në fundjavë dhe është plotësisht gati për ndeshjen e kthimit me Aston Villa.

Skuadrën angleze, PSG-ja e mposhti 3:1 në ndeshjen e parë të çerekfinales së Ligës së Kampionëve, të mërkurën e kaluar në “Parkun e Princave”. Ndeshja e kthimit është në “Villa Park” në Birmingham, të martën nga ora 21:00.

Parisienët janë favoritë për kalim në gjysmëfinale. Në ndeshjen e parë shpërthyen në pjesën e dytë për fitore solide.

Për Aston Villan është sukses që ka arritur deri në këtë fazë të garës elitare evropiane. Por skuadra e trajnerit Unai Emery tani synon befasinë.

“Nëse arrijmë në vazhdime dhe në penallti, atëherë është fantastike”, ka thënë Emery. Për këtë Villas i duhet fitore me dy gola dallim.

“Kam përvojë në përmbysjen e rezultatit. Pozitive dhe negative. Por tani është ndryshe. Duam të shkruajmë histori të Aston Villas. Vitin e kaluar në Ligën e Konferencës, këtë vit në Ligën e Kampionëve dhe me shpresë që të jemi në Evropë edhe viteve që viteve që vijnë. Parisi ka shumë përvojë në ndeshjet në udhëtim. Por do të jemi të lidhur me tifozët tanë dhe do të marrim energjinë. Nëse taktikisht dhe në aspektin individual jemi në rregull në fushë, tifozët do të na ndihmojnë shumë”, ka shtuar Emery.

Trajneri i Parisit, Luis Enrique, pret që Villa të shkaktojë telashe. Ai thotë se synimi i PSG-së është fitorja.

“Ne gjithnjë kërkojmë që në stadiume si ‘Villa Park’ të jemi garues. Na pëlqen të luajmë në shtëpi dhe në udhëtim. Nuk është problem, është motivim. Duhet të qëndrojmë të fokusuar në objektivin tonë. Nëse jemi të gatshëm për të vuajtur, do të jemi të gatshëm për fitore. Do të përgatitemi për të gjitha opsionet. Është garë shumë interesante. Duhet të shohim se çfarë paraqitje na duhet me synim për fitore”, ka thënë Enrique.

Prej orës 21:00 të martën është edhe ndeshja mes Borussia Dortmundit dhe Barcelonës.

Barcelona e ka fituar ndeshjen e parë me rezultatin 4:0. Do të ishte prej befasive më të mëdha ndonjëherë nëse Dortmundi ia del të përmbysë rezultatin.

Barça po vazhdon garën edhe për titull të kampionit në Spanjë. Udhëheq në tabelë me 70 pikë, katër më shumë se Real Madridi. Të shtunën skuadra e Hansi Flick arriti fitore shumë të vështirë ndaj Leganesit, 1:0.

“Do të mundohemi të luajmë në nivelin më të mirë që kemi. Në ndeshje si kjo duhet të jemi shumë të fokusuar dhe t’i përmbahemi mënyrës së lojës që e aplikojmë. Kam besim të plotë në ekipin tim. Por do të jetë ndeshje e vështirë. Dua që ekipi të shijojë paraqitjen ndaj një prej skuadrave më të rëndësishme në Evropë”, ka thënë Flick.

Dortmundi reagoi në fundjavë duke barazuar 2:2 me Bayernin në derbin më të madh gjerman. Por ka mbetur shumë prapa në Bundesligë. Është në vendin e tetë me 42 pikë. Pra rrezikon që të mbetet pa gara evropiane në edicionin e ardhshëm.

“Jemi të vetëdijshëm për situatën. Duam të shfaqim fytyrë krejtësisht ndryshe në ndeshjen e së martës dhe të shënojmë fitore. Gjëra magjike ndodhin gjithë kohën, por e dimë që Barcelona nuk e ka humbur asnjë ndeshje garuese këtë vit”, thotë trajneri i Dortmundit, Niko Kovaç.

Atmosfera pritet të jetë e zjarrtë në Dortmund dhe Kovaç pret përkrahje nga tifozët.

“Duhet të jemi prezentë nga minuta e parë dhe të bëjmë që tifozët t’i kemi prapa. Do të marrim përkrahjen e duhur me dëshirë për të vrapuar, me paraqitje dhe pasion”, ka shtuar trajneri i Dortmundit.

Dy çerekfinalet e tjera janë të mërkurën mbrëma. Real Madridi e pret Arsenalin, ndërsa Interi e pret Bayernin.