Ballina Sport Futboll Barcelona deklason Realin, fiton Superkupën e Spanjës

Barcelona deklason Realin, fiton Superkupën e Spanjës

Real Madridi shënoi gol që në minutën e pestë, por më pas u shkatërrua nga Barcelona.

Të dielën mbrëma në Jeddah të Arabisë Saudite, Barça fitoi 5:2 në finale të Superkupës së Spanjës në futboll. Skuadra katalunase ka fituar trofeun e Superkupës për herë të 15-të. Real Madridi mbetet me 13 trofe të Superkupës.

Madridi vjet kishte fituar 4:1, ndërsa Barça mori revanshin të dielën mbrëma.

Skuadra e gjermanit Hansi Flick nisi shumë mirë ndeshjen. Krijoi raste të mira që në nismë, por ishte Madridi që kaloi në epërsi 1:0. Mbappe shënoi që në minutën e pestë.

Kjo nuk ndryshoi rrjedhën e lojës. Barcelona vazhdoi sulmet dhe barazoi në 1:1 në minutën e 22-të me golin e supertalentit Lamine Yamal. Për 2:1 në të mirë të Barçës shënoi Robert Lewandowski në minutën e 36-të. Sulmuesi polak realizoi nga penalltia.

Në pjesën e parë Barcelona shënoi edhe për 3:1 e 4:1. Raphinha shënoi golin e tretë në minutën e 39-të, ndërsa asistoi për Alejandro Balde që realizoi golin e katërt në minutën e dhjetë shtesë.

Se ndryshimi i madh nuk do të ndodhë, u bë e qartë që në minutën e 48-të kur braziliani i shkëlqyer, Raphinha, shënoi për 5:1.

Menjëherë në minutën e 56-të, portieri i Barcelonës, polaku Wojsiech Szczesny u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrje të palejuar ndaj Mbappes jashtë zonës. Në aksionin pasues, Rodrygo shënoi supergol nga goditja e dënimit për 5:2. Ndodhi kjo në minutën e 60-të.

Dhe shifrat më nuk ndryshuan, ndonëse përpjekjet e madrilenëve për të reaguar nuk u ndalën.

Ndeshja u zhvillua në atmosferë të bukur dhe ishte e mbushur me gola të bukur e momente interesante.

Exit mobile version