Barcelona – Bayern Munchen, do të jetë derbi i së mërkurës në Ligën e Kampionëve, përkundër faktit se do të zhvillohen edhe tetë ndeshje të tjera.
Kjo ndeshje që luhet në Spanjë prej orës 21:00, i takon xhiros së tretë të Championsit dhe të dyja skuadrat futen në këtë përballje me bilanc të njejtë.
Pas dy ndeshjeve të zhvilluara deri më tani, si Barcelona ashtu edhe Bayerni e kanë nga një fitore dhe një humbje, por ekipi gjerman është për një pozitë më lartë të tabelë për shkak të golaverazhit më të mirë.
Të dyja ekipet në këtë duel do të futen për fitore dhe sipas të gjitha gjasave fituesi nuk do të dihet deri në fund të ndeshjes.
Si Barcelona ashtu edhe Bayerni, kanë treguar formë të mirë në kampionat dhe i prijnë tabelës në La Liga, përkatësisht Bundesligë.
Barça pas dhjetë ndeshjeve në kampionat, vetëm një e ka humbur dhe ka tubuar 27 pikë, ndërsa Bayerni ka 17 pikë pas 7 javëve në Gjermani dhe nuk di për humbje, ku ka regjistruar 5 fitore karshi dy barazimeve.
Për Barcelonën, do të jetë shumë e rëndësishme fitorja ndaj Bayernit duke pasur parasysh se të shtunën mbrëma në stadiumin e njëjtë përballet me Real Madridin në derbin që ndryshe njihet si “El Clasico”.
Nën hijen e duelit Barça – Bayern, në mbrëmje prej orës 21:00 do të luhen edhe përballjet Atletico Madrid – Lille, Benfica – Feyenoord, Leipzig – Liverpool, Young Boys – Inter, Salzburg – Dinamo Zagreb dhe Manchester City – Sparta e Pragës.
Te Lille në duelin ndaj Atleticos, pritet të jetë titullar Edon Zhegrova kurse Albion Rrahmani e Ermal Krasniqi ka gjasa t’i prijnë sulmit të Spartës kundër Manchester Cityt.