Barça mposht Brestin

Robert Lewandowski është bërë vetëm lojtari i tretë që ka arritur dhe më pas ka kaluar shifrën e 100 golave në Ligën e Kampionëve.

Golin jubilar, të 100-të, e po ashtu golin e 101-të, sulmuesi polak i shënoi të martën mbrëma në fitoren 3:0 të Barcelonës ndaj Brestit francez.

Lewandowski shënoi nga penalltia për 1:0 në minutën e dhjetë. Golin e dytë për Barçën e realizoi Dani Olmo në minutën e 66-të. Lewa shënoi për 3:0 në minutën e 92-të.

Vetëm Cristiano Ronaldo e Lionel Messi kanë më shumë gola se Lewa në Champions. Ronaldo i ka 140 gola në 183 ndeshje, ndërsa Messi ka 129 gola në 163 ndeshje. Shifrën prej 101 golave, Lewandowski e ka arritur në 126 ndeshje.

Ndeshja e së martës i takoi xhiros së pestë të Ligës së Kampionëve. Barça tani i ka 12 pikë dhe del në vendin e dytë.

Bresti mbetet me 10 pikë. E pësoi humbjen e parë.