Barbados bëhet republika më e re në botë

Barbadosi e ka larguar zyrtarisht Mbretëreshën britanike, Elizabeta II nga pozita e udhëheqëses së shtetit dhe është bërë republika më e re në botë.

Në një ceremoni të zhvilluar në kryeqytetin Brixhtaun, Dama Sandra Mason është betuar si presidente.

Princi i Uellsit, Charles dhe këngëtarja e Barbadosit, Rihanna, kanë marrë pjesë në këtë ceremoni, e cila është zhvilluar në përvjetorin e 55-të të pavarësisë.

Princi Charles ka folur për “mizorinë e tmerrshme të skllavërisë” me të cilën është përballur ky ishull i Karaibeve.

Kjo epokë e re për Barbadosin i jep fund ndikimit të Britanisë, duke përfshirë më shumë se 200 vjet kur ishulli ka qenë qendër për tregtinë transatlantike të skllevërve.

Mbretëresha Elizabetë ka shprehur“urimet më të mira” dhe “paqe e lumturi në të ardhmen”, duke thënë se ky komb ka “vend të veçantë” në zemrën e saj.

Barbados ka njoftuar një vit më parë se dëshiron të shndërrohet në republikë, mirëpo do të mbetet brenda vendeve të Commonwealth-it (bashkësia e mbi 50 shteteve, pothuajse që të gjitha ish-territore të Perandorisë britanike).

Barbados ka qenë një prej kolonive të para të skllevërve të Anglisë.

Skllavëria është ndaluar në Barbados më 1834 dhe shteti është bërë tërësisht i pavaruar më 1966. /rel