Banorët e kampeve në Idlib duan vazhdimin e ndihmave humanitare përmes kalimit Babulhava

Civilët e shpëtuar nga sulmet e regjimit të Bashar Al-Asadit dhe mbështetësve të tij në Siri që u strehuan në kampe në vijën kufitare të Idlibit pranë Turqisë, rajon të cilin ata e konsiderojnë relativisht të sigurt, shpresojnë se porta kufitare Babulhava nuk do të mbyllet për kalimet e ndihmave në mënyrë që ata të vazhdojnë jetën e tyre.

Miliona civilë përballen me rrezikun e urisë pasi Rusia dëshiron të parandalojë ndihmat që hyjnë në vend vetëm përmes kalimit Babulhava, përballë portës kufitare turke Cilvegözü, në përputhje me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Al-Ahmad Gaymis, i cili emigroi nga rrethi Maaratunnuman dhe u strehua në kampin Al-Rahme në Idlib, tha se nëse porta kufitare Babulhava mbyllet, dy fëmijët e tij të sëmurë nuk do të jenë në gjendje të gjejnë ilaçe.

Gaymis deklaroi se dy fëmijët e tij kanë problem të mjegullimit të vetëdijes.

“Ne përdorim ilaçe tashmë një vit e gjysmë. Do të vazhdojmë t’i përdorim ato për dy vjet më shumë. Ata duhet t’i përdorin çdo ditë. Përndryshe, sëmundja e tyre përparon. Kur porta Babulhava të mbyllet, mjekimi i tyre do të ndërpritet. Cilat janë krimet e fëmijëve të pafajshëm?”, tha Gaymis.

Enes Gabi, të cilit iu desh të migronte në kamp një vit e gjysmë më parë nga fshati Marret al-Shurin në jug të Idlibit, tha se shpresa e tyre e vetme që ata të vazhdojnë jetën e tyre është ndihma humanitare që kalon përmes portës kufitare Babulhava.

“Rusia, e cila ka shkatërruar shtëpitë tona dhe bombarduar qytetet tona, tani dëshiron të mbyllë kalimin kufitar”, theksoi Gabi.

“E gjithë ndihma dhe ilaçet hyjnë përmes kësaj porte. Mbyllja e kësaj porte do të thotë vdekje për miliona emigrantëve që jetojnë këtu”, shtoi ai.

Ndërkaq, Ahmed abu Ali, tha se me përfundimin e ndhmës, njerëzit e rajonit do të mbeten të rrethuar.

“Mbyllja e kësaj porte do të thotë vdekje nga uria për ne. Ne e kemi të vështirë jetesën madje duke qenë porta e hapur”, deklaroi ai.

Mohammed de Fahid, një tjetër sirian i strehuar në kampin Al-Andalus, po ashtu paralajmëroi se njerëzit do të vdesin nga uria nëse kalimi kufitar mbyllet.

“Mbyllja e portës do të thotë shpallje e një lufte të dytë njerëzve dhe rrethim lufte. Ne u bëjmë thirrje të gjithë zyrtarëve të huaj dhe arabë nga këtu. Tashmë jemi në gjendje të keqe. Të mos e mbyllin portën”, u shpreh ai.

– Ndihmat e OKB-së në Siri

Kombet e Bashkuara kanë dërguar ndihma deri te miliona njerëz që nga viti 2014, me mekanizmin e autorizuar nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit që lejojnë dërgimin e ndihmave ndërkombëtare në Siri.

Sidomos në Idlib, në veriperëndim të Sirisë, afër 5 milionë njerëz mbështeten në këtë ndihmë humanitare.

Deri vitin e kaluar, ndihma humanitare ndërkombëtare si ushqimi, ilaçet dhe materialet higjienike dhe mjekësore dërgoheshin përmes katër portave kufitare, dy prej të cilave ishin nga Turqia, por numri i portave kufitare u ul së pari në dy pas vetos dhe kundërshtimeve të Rusisë.

Më vonë, Rusia dha miratimin që vetëm pika kufitare Babulhava përballë asaj turke Cilvegözü do të mbahej e hapur për një vit më shumë.

Më shumë se 1.000 autokolona të ndihmës humanitare kalojnë përmes portës kufitare Babulhava për në Siri çdo muaj, por mekanizmi që e mban këtë portë kufitare të hapur skadon në korrik.

Në mënyrë që porta kufitare të mbetet e hapur dhe ndihmat të vazhdojnë, mekanizmi në fjalë duhet të rinovohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

OKB-ja, organizatat ndërkombëtare të ndihmës, Turqia, SHBA-ja dhe vendet perëndimore duan të rrisin numrin e portave kufitare nga të cilat do të dërgohen ndihma.

Megjithatë, Kina, e cila është në anën e Rusisë në rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me Rusinë dhe Sirinë, nuk duket sikur mbështet mbajtjen hapur të kalimit Cilvegözü.

Sikurse në rastet e mëparshme, pak para skadimit të mekanizmit të ndihmës ndërkufitare, Rusia filloi të mbrojë argumentin se ndihmat humanitare duhet të dorëzohen nga zonat e kontrolluara nga regjimi brenda Sirisë.

Cilvegözü, porta e vetme kufitare prej ku më shumë se një mijë autokolona ndërkombëtare të ndihmës humanitare dërgohen në Siri çdo muaj, do të mbyllet për kalimet e ndihmave në rast të kundërshtimit të Rusisë.

SHBA-ja dhe vendet perëndimore në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjithashtu dëshirojnë që porta Babusselame përballë portës kufitare Öncüpınar dhe Al-Yarubiyye midis Irakut dhe Sirisë, e cila u mbyll në dhjetor 2019, të rihapen. /aa