Bankat qendrore dhe qeveritë në Europën Lindore në konflikt për inflacionin

Rritja e çmimeve në Europën Lindore ka shkaktuar konflikte midis bankave qendrore që po përpiqen të luftojnë inflacionin dhe qeverive populiste, të cilat kërkojnë një rimëkëmbje të fortë ekonomike.

Ngërçi është më i dukshëm në Hungari dhe në Republikën Çeke, ku zgjedhjet kombëtare kanë ndërlikuar detyrën e bankave qendrore, të cilat kanë qenë ndër të parat në Bashkimin Europian që kanë bërë thirrje për shtrëngim monetar. Bankat qendrore në të dy vendet kanë rritur normat e interesit me më shumë se një pikë përqindje që nga qershori.

Tregjet e punës, që po hasin shtrëngesa dhe politikat fiskale ekspansioniste, kanë shtuar trysninë mbi inflacionin, për të cilin ekonomistët thonë se mund të vazhdojë më gjatë se sa parashikohej.

“Europa Qendrore dhe Lindore është një nga rajonet ku ne mendojmë se është më i madh rreziku i inflacionit të lartë dhe të qëndrueshëm në vitet e ardhshme”, tha Liam Peach, analist në Capital Economics.

Duke u përballur me zgjedhje vitin e ardhshëm, pasi ka humbur gjithnjë e më tepër popullaritet që nga viti 2010, kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka kundërshtuar thirrjet e bankës qendrore për shtrëngim fiskal. Ministri i Financave, Mihaly Varga, ka paralajmëruar bankën qendrore kundër shtrëngimit të politikës monetare për të parandaluar një rënie të mundshme ekonomike.

Edhe në Republikën Çeke pati një përballje të ngjashme përpara zgjedhjeve të 8-9 tetorit, ku kryeministri Andrej Babis humbi pushtetin. Ai kishte kritikuar rritjen e normës së interesit nga banka qendrore, duke e përshkruar si të dëmshme për ekonominë. Banka qendrore e Polonisë rriti papritur normat këtë muaj për të luftuar inflacionin në një periudhë afatmesme.

“Në të gjithë rajonin, IÇK-ja (Indeksi i Çmimit të Konsumit) për muajin tetor ka të ngjarë të afrohet ose të kalojë nivelin 6% (në bazë vjetore), kryesisht për shkak të faktorëve të jashtëm si çmimet e energjisë, karburantit dhe ushqimeve. Megjithatë, ne vazhdojmë të besojmë se inflacioni në Europën Qendrore dhe Lindore nuk është kalimtar”, deklaroi Banka Societe Generale.

“Të gjithë po kërkojnë punonjës”

Megjithëse inflacioni i lartë është një dukuri globale, rritjet e mëdha të pagave janë nxitur nga mungesa kronike e fuqisë punëtore, gjë që e veçon Europën Lindore nga vendet e zhvilluara. Vitin e ardhshëm, është planifikuar një rritje prej gati 20% e pagës minimale në Hungari.

Një sondazh hungarez zbuloi se kërkesa për punësim ka tejkaluar tashmë nivelet para pandemisë, kur tregjet e punës ishin të shtrënguara dhe më shumë se gjysma e kompanive të anketuara planifikonin të rrisnin pagat me të paktën 10% në të ardhmen.

“Të gjithë po kërkojnë punonjës”, tha Sandor Baja, drejtor menaxhues i kompanisë Randstad për Republikën Çeke, Hungarinë dhe Rumaninë. “Punonjësit e dinë mirë se punëdhënësit e tyre janë në një pozicion të vështirë”.

Yield-et e obligacioneve 10-vjeçare të Hungarisë janë rritur në rreth 3.6% javën e kaluar, nivelet më të larta në rreth tre vjet. Yield-et e obligacioneve 10-vjeçare çeke janë në nivelin më të lartë që nga fillimi i vitit 2014.

Ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit, rritja e çmimeve të lëndëve të para, kostot më të larta të energjisë dhe transportit dhe faturat më të larta të pagave po depërtojnë gradualisht në çmime, tha një menaxher hungarez blerjesh.

“Fakti se deri në çfarë mase do të jenë në gjendje kompanitë të gëlltisin këto rritje të kostove, do të varet edhe nga mënyra se si janë goditur ato nga pandemia”, tha menaxheri, i cili dëshironte të mbetej anonim. “Vitin e ardhshëm presim normalizim të çmimeve të lëndëve të para dhe të energjisë, por jo rënie drastike dhe këto nivele të reja do të tejkalojnë kostot e periudhës para krizës”.

Familjet në Europën Qendrore janë gjithnjë e më të alarmuara nga rritja e inflacionit, tregoi një sondazh nga Eurobarometer. Shqetësimet për inflacionin në Hungari, Poloni dhe në Republikën Çeke janë tani ndër më të lartat në 27 vendet e BE-së.

Katalin Almasi, një pensioniste 63-vjeçare, tha se duhet të punojë si pastruese në një qendër tregtare në Budapest për të përballuar jetesën. “Vihet re një rritje e çmimeve kudo, veçanërisht të ushqimeve dhe frutave”, tha ajo. “Nuk dua më as të shkoj në dyqane”. /monitor